Berati Destinacioni Turistik dhe Kulturor Botëror - Mbush 12 vite në UNESCO - Into Albania

Berati Destinacioni Turistik dhe Kulturor Botëror – Mbush 12 vite në UNESCO

Tetë korriku është një datë shumë e veçantë për qytetin e Beratit dhe vlerave që ai përfaqëson. Dymbëdhjetë vjet më parë në sesionin e 32-të  të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të mbajtur në Kanada, “qyteti i një mbi një dritareve” hyri listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, në një sit të përbashkët me Gjirokastrën.

Me vlera historike, kulturore dhe arkitektonike e bëjnë Beratin një vend unik. Hyrja në UNESCO shënoi maksimumin e vlerësimit të vlerave duke i konfirmuar ato jo vetëm në nivel kombëtar, por edhe ndërkombëtar.

Sot pas 12 vjetësh Berati është një nga sitet e UNESCO-s që është kthyer në një destinacion i rëndësishëm turistik dhe në një qendër kulturore me trend në rritje për njohje e referenca ndërkombëtare.

Këtë ditë simbolike e ka përshëndetur edhe Ministrja e Kulturës Elva Margariti e cila ka theksuar, “Plot 12 vjet më pareë, qyteti i “Një mbi një dritareve” u pranua në listën e trashëgimisë botërore, nën mbrojtjen e UNESCO-s. Berati, një qytet-muze, ku çdo rrugicë me kalldrëm, çdo shtëpi, kishë, xhami mbart vlera të jashtëzakonshme, histori, kulturë, traditë. Berati, një destinacion turistik e kulturor, që nuk duhet humbur.”

Sigurisht që nuk ka munguar edhe mesazhi i urimit nga kryetari i bashkisë së Beratit, Ervin Demo, ‘Mirënjohje për brezat që kanë ruajtur këtë trashëgimi të rrallë. Bashkia e Beratit do vijojë me promovimin e turizmit në qytet dhe ruajtjen e objekteve me përgjegjësinë e duhur siç e meriton Berati në UNESCO!’’

Berati është një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, me një histori zhvillimi mbresëlënëse. Bërja pjesë në pasurinë botërore të Unescos, si edhe organizimi i guidave të ndryshme ka bëre që Berati të kthehet një destinacion turistik botëror duke rritur numrin e turistëve vit pas viti.

Edhe në këtë vit të vështirë si pasojë e pandemisë, Berati ka pritur turistë të huaj edhe pushues shqiptare, të paktë në numër, por shifra që tregojnë interesin e shtuar për këtë vend.

Muzeu Onufri, Berat, foto nga IntoAlbania

Berati, foto IntoAlbania