''Berati i Vjetër'' - Çelet Ekspozita me Foto të Rralla të Qytetit Muze - Into Albania

”Berati i Vjetër” – Çelet Ekspozita me Foto të Rralla të Qytetit Muze

Qyteti i Beratit i mbushur me histori dhe kulturë ka gjithmonë me çfarë të befason. Në këtë muaj të trashëgimisë kulturore është çelur edhe ekspozita me titull “Berati i Vjetër”. Në këtë ekspozitë të çelur në Galerinë e Arteve do të inpresionoheni me imazhet e qytetit të Beratit të përzgjedhura me kujdes nga mjeshtra fotografë, nga udhëtarë, gjeografë dhe etnografë të huaj të cilat këto imazhe i kanë publikuar në revistat e tyre ndërkombëtare.  Sigurisht që  nuk kanë munguar edhe  artistët shqiptarë me fotot e tyre.

Kjo ekspozitë është një dëshmi e rëndësishme vizive, e cila paraqet foto të realizuara kryesisht në fillim të shekullit XX deri në vitet ‘40. Qendra Muzeore e Beratit shprehet se kjo ekspozitë është një histori që fillon më shumë se 120 vite më parë dhe se të tilla imazhe përbëjnë padyshim një trashëgimi të pashembullt fotografike, e bërë e njohur nëpërmjet pasionit të admirueshëm të shumë studiuesve e koleksionistëve që kanë arritur të qëmtojnë me kujdes e pasion.

Ekspozita ”Berati i Vjeter” foto nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat

Ekspozita ”Berati i Vjeter” foto nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat

Ekspozita ”Berati i Vjeter” foto nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat

Mes fotove të ekspozuara janë edhe disa peizazhe të artistit britanik Eduard Lear, bërë në Beratin e mes shekullit të XIX-të.

Në këtë ekspozitë janë prezantuar foto të ndryshme të qytetit, të cilat janë thesare dhe dëshmi e rëndësishme e trashëgimisë sonë, si një porosi për ta dashur dhe për ta ruajtur këtë pasuri, si një krenari ndaj paraardhësve e përgjegjësi për ta përcjell brez pas brezi, ka theksuar ndër të tjera Qendra Muzeore e Beratit.

Duhet theksuar se në vitin 1961 Berati u shpall zyrtarisht qytet muze, me pasuri të konsiderueshme monumentesh dhe me vlera të larmishme për nga gjinitë, të cilat përbëjnë një dëshmi të trashëgimisë kulturore, historike e artistike, të jetës e të punës, të realizuara mjeshtërisht brez pas brezi nga banorët e tij. Në datën 8 korrik të vitit 2008 qyteti u regjistrua në listën e UNESCO-s nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në Konferencën e radhës të mbajtur në Kanada duke e vlersuar Beratin si një shembull i rrallë i arkitekturës tipike Osmane.

Ekspozita ”Berati i Vjeter” foto nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat

Ekspozita ”Berati i Vjeter” foto nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat

Ekspozita ”Berati i Vjeter” foto nga Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat

Berati është një nga qytetet më të vjetra të Shqipërisë, me një histori zhvillimi mbresëlënëse. Bërja pjesë në pasurinë botërore të Unescos, si edhe organizimi i guidave të ndryshme ka bëre që Berati të kthehet një destinacion turistik botërorë duke rritur numrin e turistëve vit pas viti.

Për të gjithë ju që do të udhëtoni këto ditë në Berat duhet ta planifikoni edhe një vizitë tek Galeria e Arteve, për të shijuar këtë ekspozitë të rrallë e cila do të qendrojë e hapur deri më 5 tetor.