Bunkerët e Shqipërisë - Into Albania

Bunkerët e Shqipërisë

Qendrueshmëria dhe transformimi i kërpudhave prej betoni

Nëse ka një objekt që më së miri rrëfen të shkuarën e shqiptarëve shekullin e kaluar, janë bunkerët. Bunkerët u ndërtuan kudo ku kishte kufij, breza kufitarë, pranë ndërtesave qeveritare apo në periferi të fshehur nga publiku, për të mbrojtur zyrtarët e lartë komunistë dhe shqiptar nga “sulmet ushtarake” të perëndimit. Për numrin real të tyre ka mjaft debate, me shifra që nisin nga minimalisht në 125 mijë bunkerë, në ato që shkojnë deri në 700 mijë. Bunkerët sot ruhen në format që kanë patur dikur për të kumtuar historinë e vjetër që kaloi çerekun e shekullit. Një gjysëm sferë betoni, e ndërtuar me materiale të forta i rezistoi kohës për të rrëfyer sipërfaqen e diktaturës në Shqipëri.

Transformim kreativ

Bunkerët e Shqipërisë ishin një formë unikale mbrojtjeje në Evropën Lindore. U bënë frymëzim për fotografë të njohur apo artistë që mëtuan të luajnë simbolikisht me kuptimin e tyre, me simbolikën që përcjellin tek publiku. Koha e re e post-diktaturës u mësoi shqiptarëve të përdorin betonin e të shkuarës në mënyra të ndryshme, duke bërë që shumë prej bunkerëve të ktheheshin në atraksione turistike. Në zemër të bulevardit kryesor të Tiranës gjeni instalacionin “Postblloku Memorial” i cili përfshin bunkerin që dikur mbronte ish-rezidencat e anëtarëve të qeverisë komuniste.

Ndërtimi i bunkerëve në Shqipëri nisi në vitin 1965 dhe përfundoi rreth vitit 1985, kohë kur përfundoi edhe ndërtimi i bunkerit të fundit antibërthamor që ndodhet pas godinës së Ministrisë së Brendshme. Këto fortifikime mbitokësore apo nëntokësore fituan gjatë diktaturës vetëm epërsinë psikologjike të udhëheqjes komuniste mbi popullsinë, duke ushqyer idenë se ato ishin mbrojtja e duhur ndaj kundërshtarëve. Bunkeri pranë ministrisë është kthyer sot në një muze ku shfaqen krimet e diktaturës. I njohur me emrin e Bunk’Art 2, muzeu është një ndër më të vizituarit në kryeqytet. Një tjetër bunker mjaft i vizituar është dhe Bunk’Art 1, bunkeri antibërthamor i diktatorit Enver Hoxha, i pozicionuar në periferi të Tiranës.

Bunk’Art 2

Sulmet imagjinare nga perëndimi dhe ushtritë e vendeve “armike” nuk ndodhën kurrë. Mbase sepse Shqipëria ishte e izoluar në qerthullin e saj dhe nuk përbënte vëmendje për botën e zhvilluar demokratike. Sot bunkerët shfaqen në një dimension tjetër.

Hyrja e Keq Marku Tattoo, njërit prej bunkerëve më të njohur të Shqipërisë, falë tatuazheve të Keqit. Foto nga IntoAlbania.

Në hapësirën shqiptare pas rënies së diktaturës kundrohen në shumicën e rasteve me indiferencë, sidomos nga brezat që lindën pas viteve ’90. Për të rinjtë që lindën në vigjilje të pluralizmit politik dhe pas tij, është e vështirë të kuptohet sesi këto kërpudha betoni mund të mbronin një sistem të tërë politik. Shpesh forma dhe përmbajtja e saj janë të lëvizshme në hapësirën demokratike. Ndaj bunkerët sot janë dëshmi po aq e hidhur sa edhe interesante e diktaturës, të cilët për të njëjtën arësye tërheqin edhe turistë.

Më poshtë mund të ndiqni dokumentarin e shkurtër të vitit 2010 mbi bunkerët: “The Concrete Mushrooms” (“Kërpudhat konkrete/prej betoni”) nga Elian Stefa dhe Gyler Mydyti.