Çelet Ekspozita “Abetaret e gjuhës shqipe 1844-1942” - Prezantohen Ekzemplarë të rrallë të ABC-së - Into Albania

Çelet Ekspozita “Abetaret e gjuhës shqipe 1844-1942” – Prezantohen Ekzemplarë të rrallë të ABC-së

Ekspozohen në Muzeun Historik Kombëtar ekzemplarë të rrallë të teksteve të abetareve që mbajnë për autorë emra të mëdhenj të letrave shqipe, duke nisur me Veqilharxhin, e vazhdojnë me Kristoforidhin, Kulluriotin, Sami Frashërin, De Radën, Ndre Mjedën, Parashqevi Qiriazin e deri te Aleksandër Xhuvani.

Ekspozita retrospektivë “Abetaret e gjuhës shqipe 1844-1942” është çelur në hollin e Muzeut Kombëtar nga Biblioteka Kombëtare. Kjo ekspozitë tregon rrugëtimin e 100 viteve të abetares që reflekton njëherazi një nga rrugëtimet më të vështira, por edhe më të rëndësishmet të emancipimit dhe të kombit shqiptar, është shprehet Pirro Misha drejtori i Biblotekës Kombëtare.

Ekspozita sjell për publikun rreth 100 abetare që ruhen si një trashëgimi e vyer, nga abetarja e parë origjinale e gjuhës shqipe e botuar nga Naum Veqilharxhi në Bukuresht e vitit 1844 deri në botimet e vitit 1942.

Ekspozita “Abetaret e gjuhës shqipe 1844-1942”, foto nga Muzeu Historik

Ekspozita “Abetaret e gjuhës shqipe 1844-1942”, foto nga Muzeu Historik

Është e rëndësishme që brezat e rinj ta dinë se gjuha nuk është një e dhënë e përjetshme, se pak më shumë se një shekull më parë, shqiptarët e kishin të ndaluar të lëvronin gjuhën e tyre, se është derdhur gjak për t’i mbrojtur ato shkronja. Kjo ekspozitë është edhe një thirrje për ta dashur dhe ruajtur gjuhën shqipe”, është shprehur Ministrja e Kulturës Elva Margarit e cila ishte e pranishme në këtë ekspozitë.

”Abetaret e gjuhës shqipe 1844-1942”  vjen në kuadër të muajit të trashëgimisë kulturore për të përcjell mesazhin që gjuha  është trashëgimi dhe ne duhet ta përcjellim brez pas brez.

Ekspozita “Abetaret e gjuhës shqipe 1844-1942”, foto nga Muzeu Historik

Ekspozita “Abetaret e gjuhës shqipe 1844-1942”, foto nga Muzeu Historik