Ceremonia e Çmimit të Muzeut Shtëpia me Gjethe si "Muzeu i Këshillit të Europës 2020" - Into Albania

Ceremonia e Çmimit të Muzeut Shtëpia me Gjethe si “Muzeu i Këshillit të Europës 2020”

Muzeu u zgjodh nga Komiteti i Kulturës i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në një takim në Paris që në 6 Dhjetor të 2019-ës por ky çmim u bë zyrtar gjatë ceremonisë së ditës së 2 Nëntorit 2020 pranë ambienteve të Muzeut Shtëpia me Gjethe.

Përgjimi i popullit shqiptar nga Sigurimi i Shtetit gjatë periudhës së komunizmit është një temë e cila, ndonëse tej mase e rëndësishme dhe e mirënjohur, mbetet një enigmë pothuajse e patrajtuar në artin e kulturën shqiptare. Muzeu Shtëpia me Gjethe ka qenë një ndër të parët të cilët kanë nxjerrë në pah detajet e një historie të fshehtë e thuajse tabu për popullin shqiptar, duke e bërë në këtë mënyrë më të lehtë diskutimin e popullit mbi këtë temë në ditët e sotme. Mbi të gjitha, muzeu e ka bërë historinë jo aq të largët por të dhimbshme më të prekshme duke ruajtur dhe ekspozuar vendin, dhomat, e tē gjithë mjetet origjinale të përdorura nga Sigurimi i Shtetit gjatë periudhës 1945-1991. Ky i fundit është një element i cili ka ndikuar në fitimin e çmimit prestigjioz i cili përfshin muze të ngjashëm në Zvicër, Bosnje, Francë, e Poloni në vitet parardhëse.

Ceremonia e çmimit “Muzeu i Këshillit të Europës 2020” pranë Muzeut Shtëpia me Gjethe. Foto nga Elva Margariti.

Sipas përfaqësuesit të komitetit për Çmimin e Muzeut, Roberto Rampi (Itali), ndonëse muzeu trajton të kaluarën, subjekti i privatësisë dhe përdorimi i teknologjisë për t’a cënuar këtë të fundit është një problem i madh i shoqërisë në shekullin e 21-të. Për këtë arsye, muzeu mbetet i rëndësishëm pë kohën. Rampi shprehet më poshtë:

“Ne duhet të mbështesim dhe inkurajojmë muzeume më të vegjël të cilët kanë më pak burime financiare e të cilët trajtojnë në mënyrë të hapur plagët e së kaluarës. “Shtëpia me Gjethe” është një muze mjaft tërheqës i menaxhuar me një buxhet minimal dhe me një staf entuziast. Sot, shoqëria përballet me përdorimin e gjerë të pajisjeve të teknologjisë së lartë dhe kërcënimet e mbikëqyrjes masive përmes njohjes së fytyrës, si edhe aksesit e të dhënave private, etj. Ky muze është evokues i ditëve më të errëta të së kaluarës, të cilat nuk duhen harruar.”

Për artikullin zyrtar si edhe listën e plotë të çmimeve parardhëse, klikoni këtu.