Dita Botërore e Gastronomisë - Tradita Shqiptare që Trashëgohet me Fanatizëm - Into Albania

Dita Botërore e Gastronomisë – Tradita Shqiptare që Trashëgohet me Fanatizëm

Të gatuash është art më vete dhe si çdo zhanër arti dallon nga të tjerat nga stilet e ndryshme. Stile të cilat bëjnë diferencën nga një kulinari tek tjetra, në bazë të traditave.

Prej katër vitesh tashmë, festohet edhe Dita Botërore e Gastronomisë së Qëndrueshme e cila ka si qëllim sensibilizimin e publikut rreth vlerës së ushqimit, të ushqyerjes së mirë dhe reduktimit të shpërdorimit. Kjo datë është caktuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2016. Sipas Asamblesë, kjo ditë lidhet me larminë natyrore dhe kulturore të botës dhe gjithashtu riafirmon që të gjitha kulturat dhe civilizimet janë kontribues dhe mundësues të rëndësishëm të zhvillimit të qëndrueshëm.

Edhe sofrat shqiptare, nga veri e deri në jug janë të pasura me gatime të shumta tradicionale, të cilat pasqyrojnë historinë dhe kulturën tonë të veçantë. Përkushtimi dhe arti i amvisave shqiptare, ka bërë që kjo traditë të ruhet dhe të trashëgohet me fanatizëm brez pas brezi. Gatimet e mishit, të peshkut, apo edhe ëmbëlsirat, kanë po aq histori sa edhe simbolikë.

Gatimet plot shije të Elbasanit, e cila servir në tryezat aromën e recetave të gjysheve tona, ku mund të përmendim tavën e kosit, tavë me pistil, apo edhe ballokumet e famshme të elbasanit.

Photo source: heneedsfood.com.

Tavë Kosi. Burimi i fotos: heneedsfood.com.

Ballokume Elbasani, burimi: AgroWeb

Jo më kot, e ka thënë edhe Fan Noli, a do të hash e të bësh qejf? Sofra e shtruar si për mbret, pastërti e për yzmet, të tillë gjen veç në Përmet…..

E njohur për gatimet e ndryshme të mishit, për glikotë e famshme, është vendi i cili mbledh vizitorë të shumtë për të provuar shijet e ndryshme, jo vetëm në kulinari, por edhe në natyrë.

Sigurisht që një vend të veçantë zënë edhe gatimet e brumit, si flija, lakror me dy petë i Korçës, apo edhe llojet e ndryshme të përgatitijes së byrekut me miell misri apo edhe me miell gruri.

Pa harruar ëmbëlsirat si bakllavaja, sheqerpareja, kadaifi, haxhimakulle, trisheke e shumë e shumë të tjera.

Arti i gatimit në Shqipëri përcillet me aq finesë dhe traditë, sa gjithmonë ka tërhequr vëmendjen e turistëve të huaj, jo vetëm për të parë bukuritë e vendit, por edhe për të provuar shijen unike që ne servirim.