"Dita e Verës" - gjithçka që duhet të dini dhe ku ta festoni - Into Albania

“Dita e Verës” – gjithçka që duhet të dini dhe ku ta festoni

Kjo festë që përkon me datën 14 mars, është një nga më të vjetrat dhe gjithëpërfshirëset në vendin tonë, dhe të shumta janë eventet që organizohen kudo, me Elbasanin që kthehet në “kryeqytet” të Shqipërisë.

Përse festohet “Dita e Verës”?

Kjo festë është një festë pagane mijëra vjeçare, e cila ka për synim t’i falet natyrës, ardhjes së stinëve të ngrohta, rigjallërimit të jetës në tokë. Duke qenë se në antikitet viti niste me muajin mars (duke ju referuar kalendarit Julian), atëhere sapo hynte marsi festohej ardhja e pranverës. Kësisoj, brez pas brezi shqiptarët kanë përcjellë festën, duke e sjellë atë deri në ditët e sotme.

Elbasani

Siç dihet kryeqendra e festave është Elbasani, ku familjet përgjatë ditës mblidhen e festojnë së bashku, përmes ushqimit të mirë, verës, si dhe padiskutim ballokumes. Qyteti përfshihet nga festa, veshjet me maska si dhe zbukurimet që evokojnë pranverën. Nëse nuk keni qenë ndonjëherë në Elbasan për këtë ditë, duhet patjetër ta bëni këtë sa më parë, pasi atmosfera e festës do ju përfshijë natyrshëm, e do të shijoni gatimin e shkëlqyer që përgatitet në të gjitha tryezat elbasanllie.

Castle of Elbasan

Kalaja e Elbasanit, foto nga IntoAlbania.

Ballokumja

Çdokush e di se kremtimet verore lidhen pashmangshmërisht me ballokumen, një ëmbëlsirë e shijshme tradicionale që ka formën e diellit, që shpjegon dhe arsyen se përse është simboli i festës. Ballokumja është një biskotë e madhe që prodhohet me miell gruri ose misri me një përbërje të konsiderueshme sheqeri. Përgatitja është një sfidë e vërtetë për amvisat, të cilat duhet të respektojnë rigorozisht një rradhë të përzierjes së përbërësve që në shumicën e rasteve bashkohen vetëm me lugë druri në një enë që tradita e kërkon të jetë prej metalit të bakrit. Nëse keni të njohur nga Elbasani, mos harroni t’i kërkoni ndonjë ballokume, pasi vetëm kështu mund të kuptoni se si e kanë ngritur në art përgatitjen e kësaj ëmbëlsire amvisat elbasanllie.

Ballokume

Ballokume, simboli i “Ditës së Verës”. Burimi i fotos: pinterest.com.

Festë zyrtare

Që kur 14 marsi u bë festë zyrtare në Shqipëri, kjo ditë festohet gjithashtu në mbarë vendin, dhe të shumta janë organizimet dhe në Tiranë apo qytete të tjera. Këtë vit, për shkak të motit të keq që pritet të bëjë gjatë “Ditës së Verës”, festa në qytete si Tirana apo Përmeti është shtyrë për më datë 17 mars.

Tirana

Rreth 50 aktivitete janë organizuar në të gjithë Tiranën, ku pjesa dërrmuese do të jenë të përqëndruara në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Sheshin “Skënderbej”, Parkun “Rinia” etj. Për të mos u humbur është organizimi i përvitshëm i “Tirana Street Party”, ku që në mesditë rrugicat e ish-Bllokut do të ndizen si përherë nga dj-të shqiptarë e ndërkombëtarë , me muzikën që do të vazhdojë deri vonë në mbrëmje.

Tirana Street Party. Foto nga IntoAlbania.

Përmeti

Ndërkohë një tjetër qytet që ka zhvendosur festimet më datë 17 mars është dhe Përmeti, që ka planifikuar gjithashtu plot aktivitete interesante me fokus natyrën, muzikën si dhe kuzhinën tradicionale. Për më tepër ndiq faqen tonë të eventeve duke klikuar këtu.