Ditët në vijim temperatura shkon në 40 gradë Celsius - Into Albania

Ditët në vijim temperatura shkon në 40 gradë Celsius

Nëse keni bërë plane për fundjavën, bëni kujdes! Pritet të jetë një nga javët më të nxehta të vitit!

Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, vala e të nxehtit do të vazhdojë të përfshijë Shqipërinë dhe ditët në vijim, ku kulmi pritet të arrihet ditën e dielë dhe ditën e martë. Kështu, duke nisur nga të premten, temperatura minimale do të jetë 33 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale do të shkojë deri në 38 gradë C. Thuajse në të njëjtat numra do të jetë dhe dita e shtunë, ku diferenca është rënia me një gradë e temperaturës maksimale. Të dielën, temperatura minimale do të shkojë në 35 gradë Celsius, ndërsa ajo maksimale 39 gradë C. Të hënën dhe të martën gjithashtu do të vihet re një rritje e temperaturës, pasi ajo minimale pritet të shkojë në 36 gradë C, ndërsa ajo maksimale 40 gradë C.

Burimi i fotos: facebook.com/meteorologji.

Si të përballoni ditët e nxehta

Oraret 11-17 janë veçanërisht të rrezikshme për shkak të rrezeve të forta, ndaj këshillohet që foshnjat dhe fëmijët e vegjël, pleqtë, individët që vuajnë nga sëmundje kronike, gratë shtatzëna etj, të mos dalin në oraret e pikut. Edhe ata që duhet të lëvizin përgjatë këtyre orareve, të mos harrojnë të mbajnë me vete gjithmonë një shishe ujë, kapele, çadër, e të bëjnë pushime të herëpashershme. Evitoni vaktet e rënda, përdorimin e alkolit, sheqernave të tepërta, apo kafeinës në doza të larta.