Ekspozita ''Arkiv i Hapur'' - Prezanton Vepra nga Koleksioni i Pasur i Galerisë së Arteve - Into Albania

Ekspozita ”Arkiv i Hapur” – Prezanton Vepra nga Koleksioni i Pasur i Galerisë së Arteve

Galeria Kombëtare e Arteve sjell për publikun, ekspozitën ‘Arkiv i Hapur’ ku prezantohen një përzgjedhje e veprave të ndryshme nga autorë shqiptarë. Ekspozita prezanton punime, të cilat janë pjesë e koleksionit të gjerë të Galerisë Kombëtare të Arteve.

E hapur prej disa ditësh, nuk u shoqërua me një ceremoni inagurimi,  në respekt të masave të marra ndaj Covid-19. Kjo është një ekspozitë që hapet në një kohë pandemie dhe më herët ishte lajmëruar nga institucioni për disa rregulla, që duhet të respektohen nga vizitorët.

E nëse do e vizitoni Galerinë këto ditë do të inpresionoheni nga fondi i pasur i saj. E kuruar në detaj nga Drejtori i Galerisë, Erzen Shkololli, kjo ekspozitë, ky ‘Arkiv i Hapur’ do ju njoh me xhevairet që Galeria e Arteve ka.

Ekspozita ‘Arkiv i Hapur’, foto nga Galeria Kombëtare e Arteve

Piktura të realizmit socialist në ekspozitën ‘Arkiv i Hapur’, foto nga Galeria Kombëtare e Arteve

Rreth 660 vepra nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve bëjnë pjesë momentalisht në këtë ekspozitë e cila është e pasur me vepra nga zhanre të ndryshme, si pikturë, skulpturë, karikaturë etj. E sigurisht që ky koleksion vjen me autorë të cilët kanë shënjuar artin në Shqipëri si Anastas Ballamaci, Spiro Xega, Vangjush Mio, Simon Rrota, Andrea Kushi, Nexhmedin Zajmi, Abdurrahim Buza, Zef Kolombi, Sofia Zengo Papadhimitri, Zef Shoshi, Dhimitër Theodhori, Danish Jukniu, Sadik Kaceli, Edi Hila e shumë autorë të njohur.

Ekspozita ‘Arkiv i Hapur’, foto nga Galeria Kombëtare e Arteve

Që në hollin e Galerisë do të njiheni me një numër të konsiderueshëm të karikaturave të cilat trajtojnë problematikat e ndryshme sociale të jetës në Shqipëri, e duke kaluar me në brendësi do të njiheni jo vetëm me piktura në portrete, peizazhe apo dhe figura të shquara, por edhe me skica e me një numër të konsiderueshëm të skulpturave të cilat janë në allçi, bronx, dru, qeramike etj.

Ekspozita ‘Arkiv i Hapur’, foto nga Galeria Kombëtare e Arteve

E nëse do ta ndanim në një rend kronologjik, kjo ekspozitë fillon me veprat që nga fillesa e pikturës në qytetet Shqiptare 1883-1930, Piktura realiste ose Shkolla e Vizatimit 1930-1950, Piktura Akademike dhe Tabloja me teme historike 1950-1986, Realizimi Socialist, Ndërtimi i Modeleve të Njeriu të ri 1960-1986, si edhe  Piktura Formaliste e Realizmit Socialist 1969-1974.

Piktura më e vjetër e cila është ekspozuar në këtë ekspozitë daton në vitin 1889 dhe është një vepër ku shquhet qartë portreti i Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu. E realizuar me mjeshtëri nga Anastas Ballamaçi i cili e sjell figurën e Heroit tonë sa më të gjallë.

Vizitorët, githashtu mund të njihen nga afër edhe me koleksionin e pikturave dhe videove, të prezantuar në ekspozitën “Tirana Patience”, ku  emra të njohur të pikturës shqiptare dhe asaj ndërkombëtare ndërthuren sëbashku në këtë ekspozitë  si dhe me koleksionin “Urimet më të mira”  i cili prezantohet që prej një viti në katin e 3- të.

Galeria Kombëtare e Arteve ruan një koleksion prej 6 mijë veprash, të cilat datojnë nga gjysma dytë e shek. XIX e deri në ditët tona. Ky koleksion përbëhet nga vepra të periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe Pavarësisë (1883 – 1944), një koleksion ikonash që i përket shek. XIII – XIX, koleksioni më i madh i pikturës dhe skulpturës së periudhës së Realizmit Socialist (1944-1990), pavioni i artistëve të huaj, si dhe një koleksion i artit bashkëkohor kombëtar dhe ndërkombëtar.

Ekspozita ‘Arkiv i Hapur’, foto nga Galeria Kombëtare e Arteve

Ekspozita ‘Arkiv i Hapur’, foto nga Galeria Kombëtare e Arteve