Eventet më Interesante të Dhjetorit - Into Albania

Eventet më Interesante të Dhjetorit

Jemi në muajin e fundit të vitit, e më shumë se kurrë ne kemi nevojë për më shumë motivim, për më shumë buzëqeshje. Pjesa më e madhe e eventeve këtë muaj janë organizuar në kuadër të sensibilizimit për të dëmtuarit ndaj tërmetit.

Më poshtë, eventet e muajit që IntoAlbania sugjeron për ju.

Koncert

1. Nga data 6 deri më 12 dhjetor do të organizohen në qytete të ndryshme “Koncert festiv: Dhuratë për Krishtlindje”. Fondacioni Abraham Linkoln i Shqipërisë, në bashkëpunim me lëvizjen ProFamilja, sjell grupin muzikor “The Hall Sisters” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky koncert dëshiron të jetë dhe një nismë për të mbledhur dhurime, për t’iu gjendur në krah familjeve të dëmtuara nga tërmeti në Pezë. Më 6 dhjetor ato do të jenë në Shkodër, më datë 10 i pret qyteti i Korçës, ndërsa në datat 11-12 do të jenë në Tiranë.

2. Më datë 20 dhjetor, Tirana Theater sjell për herë të parë Frank Sinatra Real Tribute Show. Në këtë koncert do të shpalosen hitet e tij më të mira. Kjo shfaqje vjen në kuadër të Krishtlindjeve duke përcjellë plot emocion. Për të gjithë të apasionuarit është rast për të mos u humbur!

Vendndodhja: Tirana Theater

Teatër

3. Në sallën e madhe të ArTurbinës në data 7-8 dhjetor do të jepet shfaqja “Shirli Valentina”. Aktorja Olta Daku dhe regjisorja Driada Dervishi, menduan të risjellin në skenë këtë shfaqje dhe të ardhurat nga biletat do të shkojnë në ndihmë të familjeve të dëmtuara nga tërmeti.

Vendndodhja: Arturbina

Evente

4. Pesë dhjetori njihet si dita Ndërkombëtare e Vullnetarizmit. “Përtej Barrierave” në bashkëpunim me World Vision in Albania&Kosovo, synon të bëjë bashkë mbështetësit kryesorë të shoqërisë civile dhe institucioneve publike, në një platformë diskutimi për vullnetarizmin. Aktiviteti do të mbahet më 10 dhjetor në Tirana International Hotel.

Vendndodhja: Tirana International Hotel

5. Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë, organizon më 23 dhjetor eventin “Krishtlindje me fëmijët e sëmurë.” Aktiviteti do të mbahet në Qendrën Spitalore Nënë Tereza, dhe synon të sjellë buzëqeshje për fëmijët, duke dhuruar lodra, e duke luajtur me ta, për ta bërë këtë ditë edhe më të bukur pavarsisht se janë në spital.

Vendndodhja: Qendra Spitalore Nënë Tereza

Panair

6. Më 7 dhjetor hapet panairi “Christmas Artisan Market.” Artizanët vendas do të reklamojnë produktet e tyre dhe të ardhurat e fituara nga shitja e produkteve do të shkojnë në ndihmë të familjeve në nevojë pas tërmetit.

Vendndodhja: Blloku, Tiranë.

Ekspozitë

7. Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, çel ekspozitën “E shkuara e pakryer”. Kjo ekspozitë ka në qendër të vëmendjes të zhdukurit gjatë diktaturës komuniste.

Vendndodhja: Muzeu Historik Kombëtar.

Film

8. Në akademinë e filmit Multimedia Marubi më 12 dhjetor do të shfaqet filmi Hannah Arendt. Është një film biografik për filozofen gjermane. Ai fokusohen në rrëfimin dinamik të portretit të një intelektualeje, e cila mori pjesë në proçesin gjyqësor të një krimineli nazist. Hyrja për të parë filmin është falas.

Vendndodhja: Akademia e Filmit Multimedia Marubi

9. Dhjetë dhjetori njihet si dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut dhe qendra “Tirana Art” organizon natën e filmit. Do të jetë një mbrëmje ku jo vetëm do të shijoni filmin “The Trial of Ratko Mladic”, por do të bëheni pjesë dhe e diskutimit që do të vijojë.

Vendndodhja: Qendra Tirana Art

Konkurs

10. Më 16 dhjetor në Qendrën Rinore të Tiranës do të mbahet konkursi më origjinal për kartolina, nën titullin “Albania, The Beautiful.” Ky do të jetë një event unik dhe kreativ ku do të ketë të ftuar special, muzikë, e degustime.

Vendndodhja: Qendra Rinore e Tiranës