Festivali Folklorik Kombëtar – Rikthehen Tingujt e Trashëgimisë Kulturore - Into Albania

Festivali Folklorik Kombëtar – Rikthehen Tingujt e Trashëgimisë Kulturore

Një ndër manifestimet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë shpirtërore, Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës do të mbahet këtë shtator në qytetin e gurtë. Një aktivitet që ka si qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave më të çmuara që kemi ne si komb.

Gjatë këtij eventi ekspozohen instrumentët më të hershëm shqiptarë, kostumet popullore si edhe plot objekte kulturore të cilat kanë mbijetuar nga tradita shekullore shqiptare. Ka qenë pikërisht Ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila e ka bërë publike lajmin e shumëpritur për qytetin e gurtë, por edhe për artdashësit e shumtë.

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është një ndër eventet më të rëndësishme kulturore që përveçse bën bashkë të gjitha trevat e Shqipërisë, pret dhe numrin më të madh të turistëve jo vetëm vendas, por edhe të huaj.

Pak Histori

Kjo pasuri kulturore e njerëzimit zhvillohet çdo pesë vjet në kalanë e qytetit të Gjirokastrës. Forca e historisë, legjendës dhe e kulturës së kësaj kalaje përshtatet shumë mirë edhe me simbolikën e këtij festivali.

Fillesa e tij daton në vitin 1968 dhe për vite më radhë ka krijuar një atmosferë madhështore në këtë vend simbolik. Ky festival ka qënë konceptuar në formën e një gare folklorike ku deri në festivalin e vitit 1988 janë dhënë çmime për grupet më të mira. Larmia e folklorit, perlat muzikore, poetike dhe zakonore, përbëjnë atë që ne sot e quajmë trashëgimi kulturore jomateriale. Për vite me rradhë ky festival ka mbledhur grupe të shumta folklorike, të cilët kanë qënë përçuesit më të mirë të traditave tona brez pas brezi. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës ka shumë vlera dhe pasuri, të cilat mbajnë gjallë ende dhe sot lidhjet me rrënjët tona në histori.