Fillimi i Gushtit Sjell në Shqipëri edhe Charterat e Parë me Turistë Nordikë - Into Albania

Fillimi i Gushtit Sjell në Shqipëri edhe Charterat e Parë me Turistë Nordikë

Pavarësisht kushteve jo të zakonta për shkak të pandemisë së COVID-19, bregdeti shqiptar vijon të mbetet një destinacion për turistët e huaj.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, u shpreh në një intervistë se, “sektori i turizmit në ekonominë shqiptare që prodhon investime të konsiderueshme dhe nëse do kishim situatë tjetër, turizmi do dilte sektori i parë me kontributin më të lartë në ekonomi”.

Muaji korrik solli në Shqipëri disa chartera me turistë Ukrainas, Polak dhe Bjellorus, por ditët në vijim pritet që ky numër të rritet dhe listës t’i shtohen edhe vendet skandinave.

“Mirëfunksionimi i shëndetësisë tonë është një garanci që muaji gusht do të funksionojë si një muaj turistik. Shifrat e korrikut tregojnë se 35% e turistëve përbëhet nga pasaportat e huaja që hyjnë në vendin tonë, ndërsa po vijojnë grupet e organizuara nga Polonia, Bjellorusia, Ukraina, ndërsa në fillim të gushtit presim turistët nordikë”, – tha Klosi, ndërsa vuri në dukje nevojën për rritjen e investimeve në strukturat akomoduese.

Ndër të tjera ministri ka falenderuar dhe Kosovën e cila nuk mbylli kufijtë me Shqipërinë.

“Jemi në një situatë të vështirë nga pikëpamja e pandemisë. Turizmi mbetet një lloj shprese për zonat tona turistike kanë një zgjidhje të brendshme. Hotelet e bregdetit përbëjnë një sipërmarrje mbijetese dhe ka një problematikë të madhe në sektor, jemi të vetëdijshëm. Falënderojmë Kosovën që nuk mbylli kufirin. Ka një përqindje të konsiderueshme turistike, nëse do mbyllej në gusht, do ishte katastrofë për sipërmarrjet shqiptare. Detin që e kemi një pasuri kombëtare, duhet të shfrytëzohet nga të gjithë nga Kosova, drejt Shqipërisë” – tha Klosi.