Fillimi i Shtatorit - Rritet Numri i Pushuesve Nga Rajoni në Shqipëri - Into Albania

Fillimi i Shtatorit – Rritet Numri i Pushuesve Nga Rajoni në Shqipëri

Pavarësisht se jemi në muajin shtator, rrezet e diellit nuk e kanë humbur shkëlqimin e tyre dhe kjo ka bërë që shumë pushues të vizitojnë trevat shqiptare.

Në një intervistë për median Ministri i Turizmit Blendi Klosi tha se ky sezon për turizmin ishte i vështirë por Shqipëria gjeti rrugën e mbijetesës. Hotelet e bregut janë ende të frekuentuara në mënyrë të konsiderueshme edhe në mesin e muajit shtator kryesisht nga vendet e Rajonit, si Kosova e Maqedonia. Madje ai bëri apel që ky sezon ende nuk është mbyllur, për sa kohë moti po mban ngrohtë.

Sipas tij, politika e ndjekur ia doli që ne të kemi një grup të ri turistik në Shqipëri që janë turistët e Rajonit. Pati këtë vit një numër të konsiderueshëm turistësh nga Serbia, Maqedonia, nga Bosnja, Bullgaria e Mali i Zi.

“Pra Shqipëria u shndërrua në një destinacion dhe ky është një lajm shumë i mirë për një turizëm që do të qëndrojë ende,” – tha ministri Klosi.

Plazh, Livadh

Plazhi i Livadhit, foto nga IntoAlbania

“Për sa i përket muajve të mbylljes nga Covid 19 padyshim që shifrat ishin zero. Ndërsa në muajt qershor, korrik dhe në gusht shkuan në 40% numri i të huajve që kanë hyrë në Shqipëri si zakonisht. Ndërsa në 15 ditët e para të shtatorit ne kemi rreth 70% të numrit të të huajve që kanë hyrë në vendin tonë, ose rreth 230 mijë pasaporta të huaja kryesisht nga vendet e Rajonit, që kanë hyrë në vendin tonë”, – u shpreh Klosi.

Klosi theksoi se turizmin në Shqipëri e favorizojnë ndër të tjera edhe çmimet e arsyeshme dhe kulinaria tradicionale.

Klosi evidentoi faktin se, nga të gjithë turistët e huaj që vizituan vendin tonë nuk pati asnjë rast të infektuar në hotelet shqiptare, çka na rriti reputacionin “Shqipëria vend i sigurt për turizëm”.

Dhermi, Vlora. Foto nga IntoAlbania