Filmi Shqiptar "Love" Vlerësohet me 6 Çmime në Festivalin Prestigjoz në SHBA - Into Albania

Filmi Shqiptar “Love” Vlerësohet me 6 Çmime në Festivalin Prestigjoz në SHBA

Prej ditësh në Virginia është mbajtur festivali ndërkombëtar i filmit  “Virginia International Film Festival”, më i madhi këtij lloji në SHBA. Pjesmarrës në këtë festival ishin filma nga më shumë se 30 shtete ku mes tyre ishte dhe filmi shqiptar Love’, me regji të Dionis Papadhimitri.

Filmi i regjisorit Dionis Papadhimitrit, ka lënë mbresa të mëdha në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aq sa ka rrëmbyer edhe 6 çmime. Lajmin e ka bërë të ditur aktori protagonist, Gentian Zenelaj, përmes rrjeteve sociale.

Filmi është vlersuar me çmimet, “Filmi më i mirë me metrazh të gjatë”, “Regjisori më i mirë, Dionis Papadhimitri”, “Skenari më i mirë”, “Aktori më i mirë dytësor, Gentian Zenelaj”, “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj”, janë këto çmimet që radhit aktori në postimin e tij. Ai e nis postimin me nota entuziazmi dhe krenarie për arritjet.

“Sensacionale. Gjashtë çmime për LOVE, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Virxhinia Veriore, SHBA”, shkruan Zenelaj.

Foto shkëputur nga filmi, burimi Gentian Zenelaj

Çfarë trajton filmi?

Filmi “Love” është xhiruar në Tiranë dhe është një prodhim i Shtëpisë Kinematografike “Papadhimitri Film Production”, financuar më parë nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Në qendër të filmit është Geri një burrë pas të dyzetave, i cili kthehet në Tiranë pas një kohe shumë të gjatë, i lodhur nga bashkëjetesa dhe kërkon të takojë miqtë e mbase dhe dashurinë. Filmi sjell me nota komike realitetin shqiptar të viteve të fundit.

Personazhi kryesor që luhet nga Gent Kame, jo vetëm që nuk gjen asgjë nga ato që ka lënë, por një pjesë e miqve janë në kriza edhe më të mëdha. Të ndarë nga vitet, katër shokë fëmijërie takohen sot në një Tiranë që shkëlqen nga dritat dhe luksi ekstrem, dhe nën buzëqeshjet e tyre nisim të njohim të vërtetën. Gent Hazizi, Herion Mustafaraj dhe Gentian Zenelaj janë të pazëvendësueshëm për diversitetin që kanë arritur. Skenari i filmit është shkruar nga Irvin Muçaj dhe Dionis Papadhimitri, ku rolet luhen nga një kast aktorësh të njohur si, si Genti Kame, Olta Gixhari, Rozi Kostani, Gent Hazizi, Gentian Zenelaj, Luli Bitri, Herion Mustafaraj

Transformimi i shoqërisë, historitë e dashurisë, aventurat, na tregojnë që jeta është personale dhe fataliteti absurd na mund, pa na dhënë mundësinë të jemi vetvetja, mbase asnjëherë në jetë.

Pas këtij suksesi të parë në SHBA për këtë bashkëprodhim shqiptaro-spanjoll pritet që ai së shpejti të shfaqet edhe në kinematë evropiane.