Fondacioni "Trojet": Një rrugëtim i rrallë në etnografinë e pasur shqiptare - Into Albania

Fondacioni “Trojet”: Një rrugëtim i rrallë në etnografinë e pasur shqiptare

Fondacioni ‘Trojet”, krijuar nga dedikimi dhe pasioni i Linda Spahiut për të ruajtur vlerat e etnografisë shqiptare, është sot një arkiv që jo vetëm duhet njohur, por edhe promovuar e asistuar për vazhdimësinë e tij. Përmes mbështetjes së USAID (Agjencia e  Shteteve të Bashkura për Zhvillim Ndërkombëtar) tek IntoAlbania, fondacione si “Trojet” do të promovohen në platformat dixhitale. 

Rrugëtimi për të kuptuar arsyen e ekzistencës së Fondacionit “Trojet” nis nga një djep prej druri i vendosur në hyrje të tij. Cilët jemi? Nga vijmë e ku shkojmë? Sipas Linda Spahiut, drejtueses së Fondacionit “Trojet”, njëherë e një kohë shqiptarët dinin t’i përgjigjeshin shumë mirë këtyre pyetjeve. Por sot, pyetjet identitare marrin përgjigje konfuze, pasi e tillë ka qenë dhe shoqëria shqiptare dekadat e fundit. Ironikisht, vlerat që mbartim nga e shkuara, në vend të shërbenin si udhërrëfyese për daljen e shoqërisë nga kaosi i saj, janë parë si relike të cilat mund të presin e të shpluhurosen të fundit.

Fotografia bardhezi e familjes Keçi, viti 1906. Djathtas një foto e bërë vitet e fundit po në fshatrat e veriut. Foto nga IntoAlbania.

Në të tilla kushte Linda dekadat e fundit ja ka përkushtuar jetën e saj ruajtjes së veshjeve tradicionale shqiptare, xhubletave, tirqeve, gunave, e plot elementeve të tjera etnografike të cilat të riskuara nga koha dhe harresa, mund të kishin humbur njëherë e mirë. Për fat, nga dedikimi i saj arkivi i “Trojet” numëron tashmë mbi 2 mijë artifakte dhe kostume tradicionale, që datojnë prej shekullit të 18-të, të cilat ajo ka nisur t’i mbledhë në çdo cep të vendit, duke nisur që nga viti 2004.

Në foto: Linda Spahiu, nga IntoAlbania.

Me përkujdesjen e një pediatre me eksperiencë, e cila pasionin e saj për stadin foshnjor të njeriut e zgjaton dhe tek stadi foshnjor i shoqërisë, Linda është e gatshme të na flasë me imtësi për të gjitha kostumet që ndodhen në fondacionin e saj, të na bëjë pjesë të një udhëtimi në kohë e hapësirë, në qytete e fshatra, në etnografinë unike të Shqipërisë.

Brez i vjetër, pjesë e arkivës. Foto nga IntoAlbania. 

Shohim nga afër disa nga veshjet që ndodhen në Fondacionin “Trojet”. Spikat xhubleta e bardhë 250 vjeçare e zonës së Dukagjinit, mjaft e rrallë kjo për t’u gjetur, me simbole të ndryshme të cilat është e pamundur t’i deshifrosh. Edhe në xhubletat e tjera shfaqen totema shumëngjyrëshe, të cilat kërkojnë studime multidimensionale për t’i kuptuar si duhet.

Xhubleta e bardhë, 250 vjeçare, zona e Dukagjinit. Foto nga IntoAlbania. 

Shohim një torbë kali, ku janë të qëndisur zogj me karakter kozmik, me vezën e jetës pranë tyre, si dhe një shqiponjë që do të ishte gabim po të thuhej me shpejtësi se është dykrenare si ajo e flamurit, pasi simboli mendohet të jetë shumë më i vjetër se aq.

Torbja me simbolet kozmike dhe pjesë të tjera nga një xhublete të Malësisë së Madhe, prag i ‘900. Foto nga IntoAlbania. 

Torbja është vetëm një nga 16 komponentët që ka një xhubletë. Sipas studiuesit Jaho Brahaj, xhubleta dokumentohet në terrakota që në vitet 2000 para erës sonë, dhe përbën një kozmos simbolesh pagane të trashëguara nga kultura kreto-mikenase.

Jo më kot, edhe Linda na shtyn të dalim jashtë kornizave të të parit të këtyre veshjeve si të ishin një produkt estestik. Në to janë shkruar mesazhe që komunikojnë më së miri identitetin e një grupi njerëzish, një komuniteti, madje edhe historinë personale të anëtarit të atij komuniteti.

Të qëndisura prej mijëra vitesh, t’i deshifrosh këto mesazhe është një nisëm shumë më e madhe se sa thjesht  e vetëm një personi apo grupi studiuesish. Në to sheh shpesh përplasjen e të kundërtave, ndërthurjen e arit me argjendin, ivat e punuara me ngjyra të ndryshme, e plot sigla të tjera të trashëguara brez pas brezi, shpesh pa i ditur dhe kuptimin.

Xhubletë nga Malësia e Madhe, fillim ‘900. Foto nga IntoAlbania. 

Një tjetër ndalesë mbresëlënëse bëhet në zonën e Hasit. Që nga përparëset që mbanin gratë në periudhë zie, tek këmishat me piktura asimetrike plot ngjyra që ngjajnë si të ishin punuar në atelien surrealiste të Mirosë, mbetemi pa fjalë përballë kreativitetit e gjuhës së pasur paçka se të pamundur për t’u deshifruar të këtyre simboleve.

Përparëse e Hasit, gjysma e dytë e shekullit të XIX. Foto nga IntoAlbania. 

Këmishë e Hasit, rreth viteve 1930. Foto nga IntoAlbania. 

Por përtej simboleve të padeshifrueshme në ditët tona, veshjet tradicionale përgjatë kohërave kanë patur si funksion përcjelljen e mesazheve të qarta. Për gruan veshja tradicionale ishtë një pashaportë e lexueshme nga cilido, ku përcaktohej i gjithë informacioni i nevojshëm për stadin e saj në shoqëri, gjendjen civile, moshën, apo periudhën e jetës që po kalonte.

Linda Spahiu duke treguar aktivitetin e fondacionit të saj. Foto nga IntoAlbania.

Rrugëtimi në “Trojet” e Lindës është i gjatë e plot me surpriza, ku veshjet dhe objektet prekin të gjithë hartën e Shqipërisë. Ndalemi dhe tek disa punime druri të realizuara nëpër fshatrat e ndryshme të vendit, ku është gdhendur gjithashtu një pjesë nga ndërgjegjja e paartikuluar e fshatarëve, përmes formave të organeve seksuale femërore, apo totemave të ndryshëm.

Furka druri, foto nga IntoAlbania.

Këto krijime janë kaq të fshehta e njëherësh kaq të thjeshta, sa dhe Linda është frymëzuar për t’i vendosur si logo fondacionit të saj një prej tyre. Logoja i ngjet një pikture tribale, që duket sikur ka mbijetuar përgjatë shekujve fazave zhvillimore të shoqërisë.

Një nga furkat që ka shërbyer për logon e fondacionit.

E përballë gjithë kësaj pasurie jo vetëm të Shqipërisë, por të gjithë njerëzimit, synimi i Lindës është i thjeshtë: t’i japë një muze 2000 artifakteve e veshjeve të koleksionuara e të ruajtuara përgjatë viteve, por edhe objekteve të tjera që do të shtohen në arkiv. Ëndrra e saj është të shohë krijimin e një muzeu, që do të garantojë që veshjet tradicionale dhe objektet e tjera të ruhen në kushtet e duhura, e që do të duhej të shoqërohej me krijimin e një laboratori kërkimor për  grupe të posaçme studimi që do të vazhdojnë traditën e etnografëve shqiptarë.

Mbi të gjitha ky muze do të duhet të inspirojë publikun për t’u njohur me trashëgiminë etnografike, e rrjedhimisht, me identitetin e tij. Pa këtë njohje me të shkuarën, Linda është e bindur se nuk mund të ketë një identitet të qartë  e njëherësh zhvillim të shëndetshëm të shoqërisë as në të ardhmen.

Nga: IntoAlbania

Më tepër artikuj

Zhvilluar nga Frakton & Dizenjuar nga project.graphics