Fundjava në Berat - Guida e Një Mijë e Një Dritareve - Into Albania

Fundjava në Berat – Guida e Një Mijë e Një Dritareve

Tesi Kerenxhi

 “Qyteti i një mbi një dritareve” falë vlerave historike, kulturore dhe turistike, është pjesë e trashëgimisë kulturore botërore UNESCO, që prej vitit 2008.

Janë këto vlera të cilat e bëjnë Beratin një destinacion unik dhe shumë të preferuar nga turistët.

Për të shijuar plotësisht një fundajvë në këtë qytet, kemi vendosur që bashkë me operatorin One Telecommunications të ndajmë me ju sugjerimet tona për ndalesat që duhet të bëni.

Vizitë Në Sitet Kulturore, Historike Dhe Fetare

Sapo të mbërrini në qendër të Beratit, në sy do t’ju bierë një prej urave më të bukura të periudhës së Perandorisë Osmane, e ndërtuar në shek. XVIII.

Ura e Goricës qëndron përmbi shtratin e lumit Osum dhe bashkon lagjen e vjetër Goricë me pjesën tjetër të qytetit.

Në mesjetë, ajo ka pasur një funksion më të madh, pasi lidhte Beratin me Janinën, Gjirokastrën dhe Vlorën.

Duke vlerësuar arkitekturën si edhe rëndësinë e saj historike, studiuesit mendojnë se kjo është ura më e bukur në Shqipëri.

Në qytet, një nga tre lagjet e vjetra krahas lagjes Goricë e Kala, është edhe Mangalemi, që shtrihet në krahun jugor dhe lindor të kodrës së kalasë.

Lagjia karakterizohet nga shtëpitë e famshme të ndërtuara njëra mbi tjetrën dhe rrugicat e ngushta prej guri që të drejtojnë në dyert e tyre.

Ky kompleks banimi mund të ketë qenë nga të parët që përfaqëson du­kurinë e zhvillimit të qytetit mesjetar jashtë mureve të kalasë gjatë shek. XV-XVI.

Në qendër të Beratit do të mund të vizitoni edhe Xhaminë e Beqarëve, Xhaminë e Plumbit, Xhaminë Mbret, Teqen e Helvetive dhe Kishën Ortodokse, monumente të trashëgimisë kulturore të vendit.

E ndërsa jeni ende në lagjen Mangalem duke marrë drejtimin për në kala, në krahun tuaj të djathtë ndodhet edhe Muzeu Etnografik.

Muzeu prezanton një koleksion të pasur prej 1300 objektesh, dëshmi e vyer e kulturës dhe traditës së vendit.

Kalaja e Shekullit të IV-ët

Një udhëtim në Berat nuk do të kishte kuptim pa vrojtimin e peizazhit nga lartësia e kalasë.

Aty do të shijoni pamjen mbreslënëse të qytetit, lumit Osum dhe Urës së Goricës.

Kalaja e Beratit është kurora e këtij qyteti të lashtë, e vendosur aty që prej shekullit të IV-ët para Krishtit.

Brenda mureve të saj do të gjeni një qytet unik, me shtëpi monumentale, kisha, xhami dhe rrënoja nga epoka të ndryshme.

Ndër to ja vlen të përmenden tre kishat më të hershme që nga koha e bizantit, Kisha e Shën Mëri Vallhernës, Kisha e Shën Mëhillit dhe Kisha e Shën Triadhës.

Nëpër rrugicat e gurta të kalasë do gjeni edhe Muzeun Ikonografik Onufri, i cili ekspozon një koleksion me 200 ikona dhe objekte të tjera kulti, të punuara me mjeshtëri nga piktorët më të shquar të vendit.

Mali i Tomorrit – Shtëpia e perëndive Ilire

E pasi të keni përfunduar guidën e qytetit, jo shumë larg qendrës ndodhet shtëpia e perëndive Ilire, mali i Tomorit, që ngrihet në lartësinë 2416 metra mbi nivelin e detit.

Në majë të malit ndodhet Tyrbja e Abaz Aliut, një vend i shenjtë pelegrinazhi jo vetëm nga besimtarët vendas por tashmë i njohur edhe nga të huajt.

Për të vizituar këtë vend të shenjtë ju duhet një makinë e përshtatshme për terrene malore.

Degustim i Verës

Çdo vend i botës ka ato rajone ku prodhohet vera më e shijshme e cilësore e vendit. I tillë është për Shqipërinë edhe Berati, i cili ka një numër të madh kantinash që prodhojnë lloje të ndryshme verërash. Tradita e verës vazhdon të lulëzojë për shkak të përkushtimit të njerëzve, klimës e sekreteve të tjera të këtij zanati të bukur.  Kantinat ideale ku mund të kaloni ditën duke degustuar verën më të mirë në vend, janë Kantina Çobo dhe Kantina Nuellari.

Agroturizmi

Vetëm 40 minuta larg qytetiti të Beratit, ndodhet fshati Roshnik. Në këtë fshat të vogël, përveç qetësisë dhe bukurisë që natyra fal, do të mund të shijoni edhe gatimet tradicionale të përgatitura me ushqime të rritura në këtë vend.

Sportet e Aventurës

Çdokush mund ta gjejë veten në qarkun e Beratit, prandaj nuk mund të linim pa përmendur edhe dy nga aktivitetet më të bukura për ata që adhurojnë sportet e aventurës. Lundrimi në ujrat e rrëmbyeshëm të Kanionit të Osumit, në zonën e Skraparit, është një eksperiencë e mbushur plot adrenalinë, që do t’ju mbetet gjatë në kujtesë. Me një gjatësi prej rreth 14 km, ju keni mundësinë të përshkroni këtë kanion duke vizituar edhe vendet më të fshehura që nuk mund të arrihen në rrugë tokësore. Jo shumë larg qendrës së qytetit ndodhet shtëpia e perëndive ilire, mali i Tomorit, që ngrihet rreth 2416 metra mbi nivelin e detit. Me livadhe që të lënë pa fjalë nga bukuria e tyre në pranverë dhe bora që e vesh aq bukur në përiudhën më të ftohtë të vitit, ngjitja e Tomorit është një ndër përvojat më të bukura të alpinizmit dhe turizmit shqiptar.

 

*Ky artikull është një bashkëpunim i IntoAlbania me One Communications me qëllim promovimin e vlerave turistike eko miqësore në destinacione të ndryshme të Shqipërisë, i ndjekur nga një seri publikimesh mbi turizmin shqiptar.