“Fundjavë në Park” – Tre ditë e netë të plota feste - Into Albania

“Fundjavë në Park” – Tre ditë e netë të plota feste

Fundjava e 6-8 shtatorit pa banorët e familjet e kryeqytetit duke kërcyer, ngrënë, pirë e, mbi të gjitha, duke shijuar atmosferën e veçantë e gjithëpërfshirëse të eventit të organizuar nga IntoAlbania në zonën më të gjelbërt të Tiranës, Parkun e Liqenit Aritifical.

Fundjavë në Park gjatë ditës, foto nga IntoAlbania.

Pranë liqenit në parkun e Tiranës, IntoAlbania dhe partnerët e saj krijuan një ambient mikpritës e plot energji si për ti kujtuar të gjithë për çka ky qytet ofron. Shezlonet shumëngjyrëshe dhe tapetet me motive tradicionale ku njerëzit mund të çlodheshin, ndriçimi i ngrohtë dhe romantik, ambienti dedikuar fëmijëve, furgonët e ushqimit dhe pijeve në formë kioskash të vendosur rreth pistës së madhe të vallëzimit mes pemëve, degustim vere, dhe ritmet e DJ-ve më të mirë në vend që nuk ndalën deri në orët e vona të natës. Këto elemente arritën të ftonin me qindra pjesëmarrës në ambinetet e parkut gjatë fundjavës së parë të shtatorit. Njerëzit hynin e dilnin sipas dëshirës në këtë event i cili hyrjen e kishte falas e, kështu, përfshiu çdonjerin që kërkonte të shijonte këtë moment kalimi nga vera në vjeshtë.

Fundjavë në Park gjatë ditës, foto nga IntoAlbania.

Fundjavë në Park, foto nga IntoAlbania.

Muzika & atmosfera

Gjatë tri mbrëmjeve, 10 DJ të ndryshëm luajtën përzgjedhjen e tyre të muzikës elektronike dhe asaj dance. Ambienti rezultoi vërtet i përshtatshëm për këte event! Pemët që e rrethojnë si edhe sipërfaqja e liqenit krijuan jehonën e duhur për të përcjellë tingujt e muzikës në turmën vallëzuese. Kur afrohej ora e perëndimit, dielli zhytej në liqen për ta zbukuruar ende më shumë skenën e magjishme që krijohej çdo natë. Të premten, skena i përkiste Olsi Radioblogut, Ad Dishës dhe Chriss V për të vazhduar me Electroon, Uj pa Gaz, Amer Doux dhe Ger Kaceren të shtunën, ndërsa e diela ishte e Funky Villains, Yll Megi dhe Naam Van. Energjia e stili i veçantë i secilit e ndryshimi midis tyre e mbajti gjallë festën për tri ditë e netë, nga mesdita deri në orën 1 apo 2 të natës.

Naam Van, foto nga IntoAlbania.

Amer Doux, foto nga IntoAlbania.

Ad Disha, foto nga IntoAlbania.

Ger Kacerja dhe Uj pa Gaz, foto nga IntoAlbania.

Olsi Radioblog, foto nga IntoAlbania.

Yll Megi, video nga IntoAlbania.

Pijet & ushqimi

Ushqimi dhe pijet erdhën nga vendet më trendy të Tiranës, Destil dhe Nouvelle Vague, të cilët i servirën koktejlet e tyre të mirënjohura e të pakrahasueshme nga furgona të vendosura afër pistës të vallëzimit. Për drekë e darkë, pika popullore Haburger ofroi hamburgerat e tyre artizanalë, duke përfshirë këtu edhe zgjedhjen vegjetariane. Qershia mbi tortë ishte prezenca e Gelatarisë Çela, ëmbëltorja legjendare e Durrësit, e cila erdhi në Tiranë për të ëmbëlsuar e freskuar ambientin festiv.

Djemtë e Bossa Nova duke përgatitur koktejlet e tyre të famshme, foto nga IntoAlbania.

Destil, Një nga hapësirat më kreative në Tiranë, foto nga IntoAlbania.

Hamburgerat më autentikë vërdallë nga Haburger, foto nga IntoAlbania.

Gelateria Çela, Dyqani më legjendar i akullores në Durrës, foto nga IntoAlbania.

Aktivitetet e mesditës

Një prej ambienteve më të frekuentuar gjatë tre ditëve ishte pikërisht ai i dedikuar fëmijëve. I organizuar nga Lilú Kids Concept Store, aktivitetet për fëmijët ishin të shumta duke përfshirë workshop-in me plastelinë dhe qeramikë, leximin e novelës “Princi i Vogël,” si edhe vizatimin e pikturën në mur. Vinoteka Vena gjithashtu ofroi një eksperiencë të këndshme degustimi verërash te ndryshme çdo pasdite. Programi ndryshonte sipas ditës me “Verën më të mirë autentike shqiptare” të premten, “Hyrjen në botën e verës” të shtunën, dhe llojet e tjera të verërave të dielën.

 

Vizatim në mur për fëmijët nga Lilú Kids Concept Store, foto nga IntoAlbania.

Eksperienca e Degustimit të Verës nga Vena Winehouse, foto nga IntoAlbania.

 

Pak networking

Të shtunën, Women Founders Albania mblodhi rrjetin e femrave sipërmarrëse të cilat diskutuan projektet e tyre me njëra-tjetrën dhe pjesëmarrësit e interesuar. Programi filloi me kanotazhin gjatë pasdites, mundësuar nga Federata Shqiptare e Kanotazhit, një aktivitet që përfshiu edhe shumë të tjerë gjatë tre ditëve. “Picnic & Networking” ishte aktiviteti i dytë i sipërmarrësve dhe, në mbyllje, degustim vere i drejtuar nga Fation Tila, somelieri i vinotekës Vena. Së fundmi, të dielën, folësit e ndryshëm të Creative Mornings Albania u takuan me pjesëmarrës të ndryshëm për të bashkëbiseduar për tematika të ndryshme dhe për të krijuar një rrjet më të gjerë mes individëve të fushave të njëjta.

Women Founders Albania, foto nga IntoAlbania.

Kanotazh përgjatë ditëve të eventit, mundësuar nga Federata Shqiptare e Kanotazhit, foto nga IntoAlbania.

Me nga pak nga të gjitha dhe një organizim të përkryer, Fundjavë në Park arriti të bashkojë plot njerëz për një tri-ditësh plot muzikë, argëtim dhe freski.