Gelateri Çela - Shija e ëmbël e Durrësit - Into Albania

Gelateri Çela – Shija e ëmbël e Durrësit

Një vizitë në Durrës nuk mund të quhet e plotë pa një ndalesë tek “Gelateri Çela”, një simbol i akullores artizanale të punuar me pasion e cilësi maksimale.

Të evidentohesh në një qytet si Durrësi nuk është e lehtë. Mjafton një shëtitje në Muzeun Arkeologjik apo në zonën e Vollgës, dhe kujtohesh se ky qytet i ka të gjitha: historinë, kulturën, detin, monumentet. E përbri emrave të së shkuarës, plot modesti por me shumë shije qëndron një tjetër emër që spikat në hartën e turistëve: “Gelateri Çela”.

Foto nga: Gelateria Çela.

Ëndrra

Kjo pikë akulloresh lindi 13 vite më parë, nga eksperienca dhe vizioni i vëllezërve Agim dhe Mond Çela. Ata guxuan të ëndërronin e pastaj të realizonin në Durrës ëndrrën e tyre për një pikë akulloresh artizanale me standardet italiane, edhe pse në qytetin bregdetar shqiptar asokohe mungonin dhe kushtet më bazike për një sipërmarrje të tillë, si drita apo uji 24 orë, lënda e parë cilësore, apo edhe kultura e të konsumuarit të akullores përgjatë gjithë vitit.

Për të tjerët ndoshta të gjitha këto arsye do të ishin mjaftueshëm për të t’u tërhequr nga kjo iniciativë, por jo për Agimin, ish-kapitenin e skuadrës së futbollit të Lokomotivës, i mësuar me sfidat që duhen fituar, apo vëllain e tij, Mondin, i cili falë eksperiencës së marrë në Itali, e dinte se kishte formulën fituese për t’i bërë shqiptarët të adhuronin akulloren që do të mbante mbiemrin e familjes.

Foto nga: Gelateria Çela.

Suksesi

E në këto kushte suksesi nuk do të vononte. Vit pas viti durrsakët nisën ta konsideronin krenari të qytetit këtë pikë, tek sa kushdo që vinte nga Tirana në qytetin bregdetar, pas ndalesës në restorantet e peshkut, do duhej patjetër të bënte një ndalesë dhe këtu. Turistët, gjithnjë të vëmendshëm ndaj sjelljeve të vendasve, nisën të shtoheshin gjithnjë e më shumë në numër, duke bërë që sot Gelateri “Çela” të jetë pa frikë një nga atraksionet kryesore të qytetit.

Ku dallon “Çela”?

Më së pari tek lënda e punës. Tek “Çela” punohet përditë për të evidentuar lëndën e parë më të freskët, që nis nga kontaktet me prodhuesit e çertifikuar vendas, e shkon përtej Shqipërisë, tek importi i produkteve më cilësorë perëndimore. Për shembull shija e fistikut, apo siç thuhet përherë në shijet e akulloreve pistacchio, te “Çela” realizohet përmes importit të varietetit më të njohur e cilësor italian, siç ëshë ai i Brontes në Siçili.

Qumështi, një nga përbërësit kryesorë të akullores, është përherë me mikrobakteret në nivelet e duhura, pasterizimin e të cilit e bëjnë vet në laboratorin e tyre. Sikur mos të mjaftojë kjo, punohet gjithnjë për reduktimin e sheqerit, që shija e akullores të vijë sa më e plotë dhe e freskët.

Foto nga: Gelateria Çela.

Kreativiteti

Një tjetër faktor i rëndësishëm i këtij suksesi është shumëllojshmëria e shijeve. Që nga ato më tradicionalet, si çokollata, lajthia, fistëk, tek ato më origjinalet, si çela, nutella, apo edhe passion fruit e sjellë së fundmi, këtu edhe më tekanjozi do të gjejë shijen e vet.

Shije Çela me kikirik të kripur, karamel të kripur, shurup çokollate dhe karamel, brownie, çokollatë e shkrirë, cookies. Foto nga Gelateri Çela.

Foto nga: Gelateria Çela.

Nuk mungojnë as shijet e akulloreve për ata që kanë intolerancë ndaj laktozës apo vuajnë nga diabeti, që realizohen me bazë vajë ulliri. E nëse ju pëlqejnë të kripurat, këtu do të mund të zbuloni dhe akulloret e kripura bio. Si në çdo pikë të mirë akulloresh, semifreddo-t e ndryshme apo ëmbëlsirat e tjera të ftohta përgatiten me po të njëjtin dedikim e kreativitet ashtu si dhe akulloret.

Foto nga: Gelateria Çela.

Tek sa një pjesë e vizitorëve preferojnë të ulen te ambjentet e jashtme të “Çelës”, pjesa më e madhe e tyre preferojnë që kaushin apo kupën me shijet e preferuara t’i marrin me vete, ku freskia dhe shija e kremit kombinohen me shëtitjen e këndshme buzë detit, puhiza e të cilit, nën shoqërinë e “Çelës”, vjen përherë e ëmbël. Herën tjetër kur të vizitoni Durrësin, mos harroni të merrni dhe një akullore “Çela”, e të shijoni qytetin në mënyrën më të mirë të mundshme!