Gjirokastra pret Turistët e Parë - Rreth 120 Pushues Vizitojnë Qendrën Historike - Into Albania

Gjirokastra pret Turistët e Parë – Rreth 120 Pushues Vizitojnë Qendrën Historike

Gjirokastra, qyteti i cili është pjesë e Trashëgimisë Botërore të Unescos, është një vend i pasur me histori, kulturë dhe traditë dhe gjithmonë ka tërhequr interesin e turistëve.

Edhe në këto ditë pandemie, qyteti i gurtë ka pasur një fluks me turistë të huaj. IntoAlbania ka realizuar një intervistë me Loena Bakuli drejtoreshën e turizmit në bashkinë e Gjirokastrës, e cila na ka theksuar se muaji korrik ka qenë këmbë mbarë për sa i përket këtij sektori.

”Këtë fillim jave përjetuam në Gjirokastër një fluks turistësh, të cilët kishin një itinerar të përcaktuar të turit, ku përfshiheshin qendra historike e Gjirokastrës, si edhe në muzeumet e saj. Llogariten rreth 120 turistë të huaj, ku 40 ishin turistë kosovarë dhe 80 turistë nga Bjellorusia dhe Ukraina. Ky  është kontingjenti i parë i këtyrë përmasave pas pandemisë dhe rihapjes së muzeumeve në qytetin e Gjirokastrës.’’

Nëse do të flasim për shifra për këtë 6 mujor Loena thekson se kemi një total që nga janari deri  në qershor prej 850 turistë, ku vetëm qershori ka patur 250 vizitorë në katër muzeumet që administron bashkia Gjirokastër, që janë muzeu Kadare, muzeu Etnografik, Tuneli i Luftës së Ftohtë, si edhe Muzeun e Armëve në Kala.

Turistë në Gjirokastër, foto nga Bashkia Gjirokastër

Nga këta kryesisht kanë qenë vendas të cilët kanë patur edhe kohëzgjatje qëndrimin në qytetin e gurtë. Ku sigurisht kanë pasur mundësinë të marrin shijen e plotë gjirokastrite me mikpritjen si edhe me kulinarinë vendase.

Sigurisht që këto shifra nuk janë të larta në krahasim me vitet e kaluara, por sidoqoftë është një ogur i mirë. Loena shpreson se me fillimin e korrikut e në vazhdimësi të paktën për periudhën korrik-gusht do të kemi një rritje të turistëve, kjo pasi duke parë edhe programin kulturor dhe aktiviteteve për gjallërimin e qendrës historike në qytet, që po organizon Bashkia Gjirokastër kombinuar edhe me sitet historike do ta bejnë qytetin e gurtë një ndër destinacionet turistike.

Turistë në Gjirokastër, foto nga Bashkia Gjirokastër