Guida e Hosteleve më të mirë: Tiranë - Into Albania

Guida e Hosteleve më të mirë: Tiranë

Të shpërndarë nëpër pika strategjike në kryeqytet, hostelet janë një nga mënyrat më të arsyeshme dhe sociale për të shijuar qendrimin tuaj në Tiranë.

Trip’n’Hostel

I vendosur në një lagje të vjetër tiranase, pranë Sheshit Skënderbej, Trip’n’Hostel ofron pikërisht përvojën që imagjinoni kur mendoni për një qëndrim në hostel. Vila italiane e rimodeluar për t’u kthyer në një hostel plot karakter ofron dhoma të pajisura me kondicioner e gjithë facilitetet e një hosteli me nivel. Tavolina ping-pongu, bar me pije të mira e çmime të arsyeshme, njerëz të ngrohtë e mikpritës – ky hostel është për të gjithë.

Foto nga: booking.com, Trip’n’Hostel.

Zig Zag Hostel

Ashtu si Trip’n’Hostel, edhe Zig Zag, krijon një amtosferë aq tipike dhe mikpritëse sa shumë klientë e kanë të veshtirë te ndahen nga ky vend. Kopshti i madh plot me gjelbërim të përshëndet në hyrje të kësaj vile gjendur në një prej kthesave të rrugës Myslym Shyri. Rruga plot pemë siguron hyrjen e daljen më të këndshme në kryeqytet! Mund të qëndroni në dhomë apo të vendosni çadrën tuaj në oborr. Çfarëdo që të zgjidhni, e sigurtë që do të kënaqeni në ambientet e Zig Zag.

Andre Hostel

Ambienti i veçantë dhe afërsia e Andre Hostel  me kafenetë e klubet e zonës bëjnë që të shijoni vërtet kryeqytetin, historinë e tij dhe jetën sociale që ai ofron. Jo më kot vendndodhja vlerësohet maksimalisht nga vizitorët online. Për një eksperiencë sa vizuale aq edhe argëtuese, ky hostel është vendi i duhur.

Foto nga: booking.com, Andre Hostel.

Milingona Hostel

Hapur që në vitin 2010, para shumë prej hosteleve të tjerë në Tiranë, Milingona Hostel është tashmë një institucion plot traditë, pasi 9 vjet në Tiranë nuk janë pak! Pranë Pazarit të Ri, Milingona është biznes familjar e çdo shërbim aty sjell në mendje përkujdesjen e ngrohtësinë e një familjeje. Po aq modern sa edhe tradicional, Milingona zëvendëson në mënyrë të përkryer shtëpinë tuaj. Për më tepër, një birrë e freskët në Pazar të Ri është gjithnjë pranë!

Tirana Backpackers

Hosteli i parë në Shqipëri, hapur plot 14 vjet më parë në 2005-ën, Tirana Backpackers gjendet pranë Sheshit Skënderbej.  Dhomat brenda kësaj vile të bukur janë komode, plot hapësirë dhe te mirë arreduara. Hosteli ka gjithashtu plot hapësira të përbashkëta ku njerëzit mund të njihen duke shijuar pije nga bari e bisedat me njëri tjetrin. Tirana Backpackers mund të akomodojë edhe grupe shumë të mëdha.

Hostel Albania

I vetmi hostel në Tiranë me tarracë ku edhe mund të qendrohet me çadra! Nga të gjithë hostelet në qytet, Hostel Albania ofron panomarat më mbreslënëse. Vendosur në qendër të qytetit, çdo pikë e rëndësishme e Tiranës është lehtësisht e arritshme. Nëse zgjidhni komfortin e dhomës e jo pamjen e tarracës, do të gjeni dhoma plot dritë e me pajisje standarde.

ART Hostel & Apartments

Ashtu siç premton edhe emri i tij, ART Hostel është ndoshta ai më eleganti i gjithë kryeqytetit. Me tre lloje të ndryshme akomodimi, duke përfshirë dhomat e përbashkëta, dhomat personale, dhe apartamentet, ky është një hostel aspak tipik. Art Hostel është i vetmi që ofron dhoma gjumi vetëm për femra! Modern dhe gjithmonë i pastër, hosteli gjendet edhe në zonë jo shumë të zhurmshme të Tiranës, rreth 1 km larg qendrës.

Foto nga: booking.com, ART Hostel & Apartments.

Mosaic Home – Hostel & Garden

Një nga hostelet më të rinj në qytet, është kthyer shumë shpejt në një nga më popullorët! Motoja e tyre është “Colorful pieces of a journey – pieces of a dream” (Pjesëza të ngjyrosura të një udhëtimi – pjesëza të një ëndrre), dhe do e kuptoni shumë shpejt përse po fiton kaq popullaritet dhe vëmendje: është si një shtëpi e këndshme intime, por njëherësh dhe me një ambjent vërtet ndërkombëtar, ku mund të kalosh kohën më të bukur përgjatë qëndrimit në Tiranë.

Foto nga: booking.com, Mosaic Home – Hostel & Garden.

Buff Hostel

Buff Hostel e gjeni gjithashtu 1 km larg qendrës. Ky hostel është vërtet ideal për ata që preferojnë qetësi dhe intimitet, larg turmave të qytetit apo pikave më turistike të tij. Buff premton një njohje të vërtetë me qytetin e një përvojë aspak të ngjashme me atë të një turisti tipik. Veç shërbimeve standarde, hosteli ofron këmbim valutor si edhe fusha tenisi!

D1 Hostel

Vendi ideal për të vendosur plaçkat, për tu çlodhur e për tu rigjeneruar para se të zbulosh qytetin! E gjitha kjo, në një klimë shumë shoqërore ku të integrohesh me të rinjtë e tjerë është vërtet e thjeshtë. 

Bit Hostel

Veranda këtu është e mrekullueshme, dhe të provosh mëngjesin që përgatitet plot shije është një nga ato rituale që do të doni të përsërisni përgjatë gjithë qëndrimit tuaj këtu. Është një nga hostelet më të frekuentuar përgjatë gjithë vitit në Tiranë, falë dhe pozicionimit pranë Pazarit të Ri, njërës prej zonave më popullore të kryeqytetit.

Sleep & Go 

Afërsisht 750 metra larg qendrës, në një zonë të bukur të Tiranës, Sleep & Go është pikërisht ashtu siç sygjeron edhe emri i tij. Dhoma që ndriçohen nga dielli, ballkone të këndshme, dhe hapësira të përbashkëta janë disa prej elementeve që e bëjnë këtë hostel minimalist një prej të preferuarve mes turistëve me buxhet të kufizuar.