Gushti Muaji i Fotografisë Shqiptare - Publikohen Fotot e Ralla - Into Albania

Gushti Muaji i Fotografisë Shqiptare – Publikohen Fotot e Ralla

Muaji gusht është shpalluar nga Ministria e Kulturës si muaji i fotografisë, pasi në këtë muaj shënohet edhe Dita Botërore e Fotografisë.  

Pak ditë më parë ministrja e Kulturës Elva Margariti bëri me dije se ky muaj do ti kushtohet fotografisë, që është dhe një nga fushat më të dashura të artit. Sipas ministres së Kulturës, mëngjeset e muajit gusht do të jenë me urime me fotografi, që janë bërë nga baballarët e fotografisë shqiptare. “I dedikojmë këtë muaj një prej fushave të artit më të dashura, siç është fotografia, e cila në 19 gusht feston shpikjen e dagerotipit, në atë që cilësohet si Dita Botërore e Fotografisë. Çdo mëngjes do t’ju urojmë ditë të mbarë me shkrepjet mbresëlënëse të baballarëve të fotografisë shqiptare”, shprehet ministrja e Kulturës në rrjetet e saj sociale.

Me rastin e ditës së lindjes së Kol Idromenës, piktorit, fotografit dhe arkitektit, ministrja e Kulturës ka dashur ta kujtojë këtë figurë të spikatur të kulturës shqiptare nëpërmjet disa fotografive të marra nga arkiva e Muzeut Kombëtar i Fotografisë Marubi.

Foto nga Kol Idromenë, shkëputur nga Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi

Foto nga Kol Idromeno, shkëputur nga Muzeu i Fotografisë Marubi

Pak histori

Fotografia i ka fillimet te shpikja e Dagerrotipit (Daguerreotype), një proces fotografik i zhvilluar nga Joseph Nicephore Niepce dhe Louis Daguerre në vitin 1837, që më vonë u patentua nga qeveria franceze dhe shpikja u prezantua si “dhuratë për botën”, më 19 gusht të 1839, ndaj kjo ditë sot njihet si Dita Botërore e Fotografisë. Në historinë shqiptare vlen të përmendet fototeka “Marubi”, e cila përfshinë fotografi të vjetra 150 vjet, e të cilat ruhen në Shkodër. Dikur fototekë, sot muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” mban në arkivin e tij rreth 400,000 negativë në pllaka xhami, të organizuar në mënyrë të përkryer dhe të klasifikuar sipas vitit të shkrepjes dhe përmbajtjes së fotografisë.

Pendimi i një mëkatari, fotografuar nga Kol Idromeno, foto marrë në facebook.com/MargaritiElva

Grua refugjate nga Çamëria, fotografuar nga Jani Ristani, foto marrë në facebook.com/MargaritiElva

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, Shkodër, foto nga IntoAlbania