Hemingway Jazz Fest No.7 – Festa më e madhe e muzikës jazz në Shqipëri - Into Albania

Hemingway Jazz Fest No.7 – Festa më e madhe e muzikës jazz në Shqipëri

Edicioni i 7-të i Jazz Fest, i organizuar nga Hemingway Fan Club, këtë vit vjen në 21-22 Korrik, me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit të shquar Amerikan, Ernest Hemingway. Si çdo event, nga të shumtët që organizon Hemingway, edhe Jazz Fest krijon një atmosferë gjithëpërfshirëse falë muzikës dhe pjesëmarrësve të veshur me “dress code”-in e famshëm. Ky i fundit tashmë është simbol i eventit pasi foto të panumërta qarkullojnë në mediat sociale çdo vit e më shumë! Këtë vit kërkohet një veshje e bardhë me aksente të lehta shumëngjyrëshe gjatë ditës së parë dhe, në të dytën, duhet të dominojnë ngjyrat afro-kubane. Kjo tregon shumë edhe mbi tingujt e ritmet që do të ndezin festën gjatë dy mbrëmjeve të fund-korrikut. Me të ftuar muzikor si Barcelona Gipsy balKan Orchestra, Rumba de Bodas, Ghiaccioli e Branzini e shumë të tjerë, jo më kot Jazz Fest i Hemingway mbetet festa e jazz-it më e madhe në Shqipëri.

Biletat gjenden pranë Hemingway Bar, duke nisur nga fundjava, ose rezervoni këtu.

Mbi Hemingway Bar

Vendosur në një nga zonat më tradicionale të qytetit, plot me vila tradicionale Italiane e pa dyndje lokalesh të tjerë, Hemingway tashmë gëzon një popullaritet të patundshëm. Edhe pse duket fillimisht si një klub ekskluziv për një grup të caktuar njerëzish, këtu të gjithë janë të mirëpritur! Ndërsa arredimi i vendit të kujton Kubën e dashur të shkrimtarit Ernest Hemingway, prej të cilit ky pub i njohur merr edhe emrin, aty bashkohen plot kultura të ndryshme, vendase dhe ndërkombëtare. E prandaj këtu të gjithë gjejnë një pjesë të vetes! Një bar me emrin Hemingway nuk mund të mos dallohet dhe për përzgjedhjet e markave më të mira të rumit. Koncertet intime të xhazit apo shfaqjet me filma klasikë në muret e ndërtesave përreth, janë disa arsye të tjera përse ky vend krejt i veçantë ja vlen të vizitohet.