"Historia e Artit Shqiptar, 1858-2000" nga Ermir Hoxha - Into Albania

“Historia e Artit Shqiptar, 1858-2000” nga Ermir Hoxha

Përpara pak ditësh doli në treg një nga botimet që i kishte munguar publikut vendas por jo vetëm: “Historia e Artit Shqiptar, 1858-2000”, nga studiuesi Ermir Hoxha. Për të mësuar më tepër mbi rëndësinë e këtij botimi, realizuam një bisedë me Ermirin.

1. Prej sa kohësh keni punuar për realizimin e këtij libri?

Realizimi i këtij studimi ka qenë ndërmarrja ime më e gjatë, e nisur rreth 10 vite më parë. Përzgjedhja e periudhës dhe vetë projekti u diktua nga pamundësia për të kuptuar artin bashkohor vendas, i cili në kohën që sapo isha kthyer nga studimet jashtë vendit përbënte qëllimin tim kryesor studimor. Thjesht, për të kuptur pse arti shqiptar në vitet 90 kishte qenë i tillë, duhet të kuptoja çfarë e kishte paraprirë atë, një kërkim i cili më futi në një vorbull kuptimore që u shty deri në mesin e shekullit të XIX. Natyrish në këto vite, kam pasur fati të shoh të botuar dhe disa tema e nëntema të së njëjtës periudhë, si “Arkitektura shqiptare e shek. XX”, apo dhe një “Studim mbi fenomenin e Realizmit Socialist Shqiptar”.

2. Libri i drejtohet vetëm studentëve të artit dhe studiuesve, apo është i përshtatshëm dhe për lexuesit më pak të stërvitur me leximet mbi artin?

Libri desitinacion kryesor ka studentët e Universitetit të Arteve, por natyrisht që është një hisitori arti klasike që përmbush pritshmëritë e çdo studiuesi, artëdashësi, apo lexuesi kurioz për të shkuarën. E ndërtuar në 5 pjesë ajo hapet gjithnjë me një hyrje të shkurtër historike për të kuptuar kushtet politike, ekonomike e kulturore të periudhës në fjalë për tu pasuar nga një analiza e mediumeve (pikturës, skulpturës e fotografisë, si edhe artet e aplikuara që lulëzuan gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX), ndarë sipas temave përkatëse.

3. Cila ka qënë një nga vështirësitë më të mëdha që keni hasur në përgatitjen e këtij botimi?

Vështirësitë e para janë ato profesionale. Fillimisht është peridiozimi i kohës, për njëlehtësim kuptimor mbi fenomenin, që pasohet me ruajtjen e një profili sa më objektiv, çka rezulton e vështirë sidomos kur sheh se shumë mediume, periudha apo autorë duhen kontekstualizuar për herë të parë. Si e tillë sfida është e shumëfishtë. Këto vështirësi pasohen më pas nga mbledhja e të drejtave të autorit dhe imazhet sa më cilësore, humultimi për një dizanj sa më funksional dhe në fund buxheti e shtypi.

4. Përse keni zgjedhur përkatësisht vitin 1858 si fillim të historisë së artit shqiptar dhe përse ky rrugëtim mbaron në vitin 2000?

Studimi hapet me periudhën e parë në vitin 1858, kohë kur Shqipëria ende pjesë e Perandorisë Osmane, njeh vetëm art relizgjoz. Në këtë vit është Fotografia është ajo që ofron imazhin e parë realist duke hapur siparin e artit shqiptar për një realitet të ri. Pioneri i kësaj është Pjetër Marubi, që do pasohej më pas nga Kol Idromeno, i cili është edhe një nga zërat themeltar të pikturës realiste shqiptare. Mbyllet në vitit 2000 pasi mendoj që me mbylljen e shekullit XX, për artin shqiptar ishin hapur tashmë dyer e sistemit të artit bashkohor, çka e sposton përsiatjen mbi ta në një dimension të ri botëror.

“Epika e yjeve të mëngjesit” (The epic of the morning stars), by Edison Gjergo. Photo source: Ermir Hoxha.

5. A mendoni se ky botim do të jetë më i rëndësishmi i karrierës tuaj?

Se di.. shpresoj që jo. Sigurisht është më i rëndësishmi në këtë fazë të karrierës sime, çka padyshim do pasohet nga rishikime të të njëjtit subjekt, patjetër i shtrirë dhe në periudha të tjera. Kjo padyshim që nuk do më ndalojë të merrem dhe me tema të tjera, pjesë përbërëse e historisë së artit shqiptar, siç mund të jenë autorë, mediume, apo fenomene brenda llojit. Projekti i rradhës psh është “Historia e Fotografisë Shqiptare, 1858-2000” që siç shihet, shtrihet në po të njëjtën gjatësi kohore.

Ermir Hoxha ka lindur në Tiranë në vitin 1979. Ai është diplomuar në Akademinë e Arteve, (Pikturë, 2003); në Universitetin e Bolonjës (Histori e Artit Bashkohor, 2007) dhe në Universitetin e Tiranës (Gjeografi, 2008). Mori titullin Doktor i Shkencave Historike në vitin 2015 me Temë “Arti në Shqipëri 1945-1990”, me udhëheqës Prof. Dr. Ferid Hudhrin, në Departamentin e Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore, Fakulteti i Histori Filologjisë, UT. Aktualisht punon si lektor i lëndës Historia e Artit Shqiptar në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve, Tiranë. (Biografia u shkëput nga botimi mbi Historinë e Artit Shqiptar, 1858-2000)