Kala Festival - Një javë festë në plazhet e Dhërmiut - Into Albania

Kala Festival – Një javë festë në plazhet e Dhërmiut

Është sërish ajo periudhë e vitit kur flasim për Kala Festival! Vitin e shkuar ishte një risi, që entuziasmoi adhuruesit e festivaleve muzikore ndërkombëtare, si festival i parë i këtij lloji në Shqipëri. Ndërkohë Kala Festival 2 është konfirmim i një tradite, që në mes të qershorit, nga data 12 deri në 19, sjell me mijëra të rinj nga e gjitha bota në plazhet e Dhërmiut.

Ngjyra e lehtë rozë e byzylykut dallohet në duart e të pranishmëve, që kanë nisur të grupohen për të nisur festën. Ashtu si dhe edicionin e shkuar, skenat janë ndërtuar të gjitha anës detit, e në to luhet përgjatë gjithë ditës muzikë që shkon nga eletronike, house apo techno, tek dance, soul, apo psikedelike. Skena e parë që i prezantohet të pranishmëve është The Yacht Club, një platformë ndërtuar mbi det, ku muzika nis më herët se kudo tjetër.

“The Yacht Club” gjatë ditës, foto nga IntoAlbania.

Shumë pranë saj ndodhet “The Cove”, që në shqip do të përkthehej gji i vogël. Këtu është gati e pamundur të gjesh vend, pasi mund të bësh plazh, e të kërcesh nën ritmet e Rhythm Sister, Kasheme, apo dhjetëra dj-ve që janë programuar për të luajtur këtu nga mesdita deri në agim.

Kala Festival, foto nga IntoAlbania.

Të lidhura njëra me tjetrën përmes një tuneli pemësh të larta që në mbrëmje ndriçohen nga një larmi ngjyrash verore janë skenat e Splendor dhe Empire, të dyja të ndërtuara anës detit, e që përçojnë një ritëm eklektik, për rreth 3000 mijë të pranishimit në festival.

Skena tek “Splendor”, foto nga IntoAlbania.

Skena e “Empire”, foto nga IntoAlbania.

Kombësitë vijnë nga i gjithë rruzulli, por dominojnë britanikët. Me një bishtalec të verdhë të derdhur në të djathtë që i prek supet, varësen e artë të trashë si dhe veshjen blu që i frynte lehtshëm me erën, Abbey, nga Bristol, na rrëfen se si e gjithë atmosfera po i duket e adhurueshme.

Një nga pjesëmarrëset, Abbey, në Kala Festival. Foto nga IntoAlbania.

“Kam ardhur në Shqipëri enkas për këtë festival. Po e shijoj shumë, dhe njerëzit janë shumë të dashur,” na thotë ajo, tek sa pas pak të tjerët pranë saj startojnë një garë noti edhe pse jemi në orët e vona të natës.

Numrat e festivalit këtë edicion të dytë flasin vetë: 3 mijë të pranishëm e rreth 400 të tjerë ku përfshihen dj-të apo pjesëtarët e tjerë të stafit. Mainstage Festivals është kompania britanike që ka ideuar festivalin, pas një eksperience të gjatë në organizime të ngjashme në Evropë. Ndër dj apo muzikantët e tjerë të pranishëm, spikasin Inner City, Honey Dijon, Peach, Øyvind Morken, e plot të tjerë.

Vetëm një ditë pasi The Guardian e kishte konsideruar Jordan Rakein “atë që duhet ndjekur me vëmendje”, ky i fundit performoi live për publikun e Kalas, duke dhuruar një nga performancat më mbresëlënëse të këtij edicioni.

Jordan Rakei duke interpretuar live për festivalin, foto nga IntoAlbania.

Rakei, këngëtari australiano-neozelandez performoi disa nga pjesët më të njohura të repertorit të tij, si dhe këngë nga albumi i fundit “Origin”, i publikuar në mes të qershorit. “Say Something”, këngës që i parapriu daljes së albumit, nuk iu desh shumë kohë që të fitonte popullaritet e të niste të luhej nëpër club-et e kontintetit të vjetër.

Në skenën e “Empire” takohemi dhe me Ed dhe Ingrid, të ardhur përkatësisht nga Londra dhe Afrika e Jugut. Ata na thonë se po shijojnë gjithçka, muzikën, plazhet, vendin, dhe se do e rekomandonin 100% të gjithë eksperiencën.

Ingrid dhe Ed, duke ndjekur festivalin. Foto nga IntoAlbania.

Ndërkohë edhe për pjesëmarrësit vendas, Kala është një festival që bën diferencën. Takojmë Dalilën dhe Markelin, të cilët janë relaksuar në kolltuqet e plazhit, duke ndjekur muzikën e dj Iona-s. Të ardhur nga Tirana, ata e cilësojnë festivalin të mrekullueshëm, me njerëz po aq të mrekullueshëm.

Markel and Dalila, foto nga IntoAlbania.

Kala ofron shumë më tepër se sa thjesht muzikë të mirë, apo skena sugjestive anës detit. Aktivitetet gjatë ditës përfshijnë joga, seanca meditimi, masazhe anës detit, apo edhe ture në plazhet e gjiret përrallore të jugut. Në Gjipe, luhet gjithashtu muzikë, me varkat që nisen përherë plot. Një nga turet që korr më shumë sukses, është ai i organizuar në Gjirin e Gramës.

Gjiri i Gramës, pjesë e tureve të organizuara për pjesëmarrësit e festivalit.

Kurioziteti është i madh për t’u njohur me mbishkrimet në faqet shkëmbore që datojnë që nga 2400 vjet më parë, e që vazhdojnë përgjatë shekujve, deri në mbishkrimet e periudhës komuniste, apo në ato të bëra nga turistët më të pakujdesshëm të viteve të fundit. Guida shoqëruese është Ols Lafe, njëherësh Drejtor i Qendrës  për Zhvillimin e Trashëgimisë Antike dhe Mesjetare Shqiptare.

Ols Lafe duke shpjeguar origjinën e mbishkrimeve. Foto nga IntoAlbania.

Detarët që gjenin strehë këtu përgjatë shtrëngatave, i drejtoheshin përmes mbishkrimeve për ndihmë sa Dioskurëve, mbrojtësve të detit, në periudhën antike, aq edhe Jezu Krishtit, apo Zotit, në shekujt e mëvonshëm.

Disa nga mbishkrimet në Gjirin e Gramës, foto nga IntoAlbania.

Rikthehemi në Dhërmi, aty ku festa vazhdon parreshtur. Të bisedosh me të panjohur nuk mund të jetë më e thjeshtë se sa është këtu, kur pasionet e përbashkëta për diell, det, muzikë dhe energji, krijojnë një klimë tejet sociale. Betty, një vajzë që tërheq vëmendjen falë tatuazheve kreative, ka ardhur nga Leeds i Britanisë së Madhe.

Betty, një nga pjesëmarrëset. Foto nga IntoAlbania.

“Është një nga festivalet më të mirë tek të cilët kam marrë pjesë,”- na thotë ajo, tek sa nuk kursen komplimentet për Shqipërinë. “Sinqerisht, vendi juaj është kaq i bukur.  Plazhi këtu është një parajsë e vërtetë,”- duke vazhduar më tej bisedën në mënyrë shumë të relaksuar. Pasi përshendetemi, vazhdojmë shohim pak dhe kanalin e saj të instagramit që sapo na dha, ku në profil ka shkruar veç të tjerash se i interesongjithçka tjetër jashtë të zakonshmes”. Kala është pikërisht kështu, një festival jashtë të zakonshmes.