Kalaja e Gjirokastrës, sheshxhirimi i filmit të njohur “Castle Freak” - Into Albania

Kalaja e Gjirokastrës, sheshxhirimi i filmit të njohur “Castle Freak”

“Castle Freak” njihet si një film horror shumë i dashur i viteve 90-të të cilin regjisori Tate Steinsiek e ka sjellë me të njejtin titull në 2020-ën, por me histori të re të xhiruar në Kalanë e Gjirokastrës.

Ashtu si tregon edhe titulli, historia klasike zhvillohet gjithnjë në kala, aty nga filmi merr edhe titullin. Në në këtë rast kalaja në fjalë është pikërisht ajo e Gjirokastrës. E njohur për ambientet e saj tepër kinematografike dhe legjendat e saj epike, është e padiskutueshme se Kalaja e Gjirokastrës luan vërtet një rol të rëndësishëm në këtë film. Filmi tregon shumë nga peizazhi që rethon kalanë por edhe ambientet e saj të brendshëm.

Trupa e filmit përfshin edhe aktorë të njohur shqiptarë si Genti Kame, Klodjana Keco, dhe Klodian Hoxha, të cilët luajnë rolet e vendasve të cilët presin vizitën e vajzës protagoniste dhe shoqeve të saj. Ndonëse shumë filma xhirohen në Shqipëri, në këtë rast Shqipëria bën edhe pjesë në historinë e filmit.

Filmi është prodhim i kompanisë Fangoria, e cila shquhet për efektet cilësore të filmave horror. Shihni trailer-in më poshtë.

“Është e bukur se si kalaja bëhet personazh më vete i  këtij filmi”

Një shkrim për filmin tregon se Kalaja e Gjirokastrës ka vërtet rol protagonist në film dhe që ky vend i ka shtuar shumë vlerë këtij të fundit.

“Pjesa dërrmuese e filmit zhvillohet në kala, dhe kuptohet përse. Nga pjesët e jashtme (dhe të brendshme), duket se xhirimi është kryer brenda dhe përreth një kështjelle të vërtetë mesjetare dhe ajo është vërtet e mrekullueshme. Regjisori Tate Steinsiek ka ditur të shfrytëzojë me të vërtetë vendndodhjen dhe e ka ndërthurur atë në mënyrë të përsosur me historinë, nëpërmjet një përdorimi të mrekullueshëm të ngjyrave dhe hijeve.”

Sinopsi i filmit

Pasi është verbuar në një aksident tragjik automobilistik, Rebecca merr lajme të çuditshme: nëna e saj e humbur prej kohësh ka ndërruar jetë, duke i lënë Rebecca-s kështjellën e vjetër të familjes së tyre në trevat shqiptare. Duke udhëtuar me një grup miqsh, Rebecca shpreson se kjo do të jetë një mundësi për t’u lidhur përsëri me një të kaluar dhe një nënë të panjohur. Kur ngjarje misterioze fillojnë të ndodhin dhe miqtë e saj fillojnë të vdesin, Rebecca duhet të zbulojë sekretet e historisë së familjes së saj para se ajo të bjerë pre e përbindëshit të kalasë (castle freak).

Castle Freak (2020) mund të shihet vetëm në shërbimin e streaming Shudder.