Koko Fest - Festivali i Komedisë Ngre Siparin në Qytetin e Serenatave - Into Albania

Koko Fest – Festivali i Komedisë Ngre Siparin në Qytetin e Serenatave

Festivali i përvitshëm i komedisë Koko Fest këtë vit do të organizohet ndryshe. Pjesë e aktiviteteve artistike këtë fillimi shtatori lidhen me këtë event të rëndësishëm ku trupa të ndryshme teatrore do të konkurrojnë me shfaqjet e tyre më të mira.

Për të shtatin vit rradhazi pavarësisht vështirësive si pasojë e pandemisë Festivali i Komedisë do të jehojë përsërinë qytetin e Korçës. Këtë vit shfaqjet do të organizohen në ambiente të hapura në zona të ndryshme të qytetit. Oborri i Muzeut Kombëtar të Arsimit, Hani i Pazarit dhe Parku Rinia do të kthehen në 3 skena teatrore për trupat që do të vijnë nga Tirana, Shkodra, Durrësi, Korça dhe Tetova.

Në bazë edhe të protokollit të Covid-19 shfaqjet do të realizohen në ambiente të hapura dhe publiku do të jetë i distancuar nga njëri- tjetri.  Artdashësit do të kenë mundësi të shijojnë shfaqjet plot humor për disa ditë radhazi, ndërsa kjo do të jetë një eksperiencë ndryshe për ta dhe artistët.

Festivali i Komedisë Koko Fest do të nisë në 8 shtator dhe siç njoftojnë organizatorët për shkak të situatës, numri i publikut do të jetë i kufizuar dhe një shfaqje do të luhet për disa ditë me radhë për të krijuar mundësinë që të gjithë të shijojnë humorin e këtij festivali i cili është kthyer në traditë në qytetin e serenatave.

Ashtu si çdo vit edhe në këtë sezon, ky festival nuk i ka ndryshuar rregullat për sa i përket garës dhe çmimeve, ku trupat profesioniste do të marrin vlerësime nga një juri e përzgjedhur.

Nëse jeni në Korçë në këtë fillim shtatori, është një mundësi e mire t’i dhuroni vetës disa të qeshura!