Komedia ''Pas Vdekjes'' Vjen Premierë në Korçë në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit - Into Albania

Komedia ”Pas Vdekjes” Vjen Premierë në Korçë në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit

Pas Karnavaleve që gjallëruan Korçën mesa duket jeta artistike po çelet dalëngadalë në qytetin e serenatave. Pas disa muaj izolim si pasojë e Covid 19 edhe teatri i Korçës gradualisht po i kthehet normalititet.  Më date 17 korrik në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit në Korçë do të shfaqet komedia “Pas vdekjes”.

Një kryevepër e shkrimtarit dhe atdhetarit Andon Zako Çajupi, do të vihet në skenë nga regjisori Hervin Çuli dhe do të sillet në interpretimin e aktorëve të teatrit të Korçës, si Albano Prodani, Paola Kodra, Silvio Goskova e Kristian Koroveshi, si dhe Mateus Frroku. Shfaqja është shkruar nga rilindasi Andon Zako Çajupi, si personazh kryesor është doktor Adhamudhi, i cili e mban veten për njeri të zgjuar.

Komedia “Pas vdekjes” është e njohur dhe në pikëpamje të mesazhit dhe përmbajtjes së saj e cila kërkon ruajtjen e gjuhës shqipe.

Kjo shfaqje ka një temë politike-shoqërore luftën e ashpër në lëvizjen tonë politike të fillimit të shekullit XX kundër oportunistëve, konformistëve, demagogëve, që i shitnin interesat kombëtare për përfitime personale.

Premiera e komedisë “Pas vdekjes” vjen me regji nga Hervin Çuli, i cili dhe më parë ka bashkëpunuar me teatrin e Korçës.

Për shkak të pandemisë, komedia është zhvendosur jashtë mureve të teatrit. Ajo do të realizohet në oborrin e Muzeut Kombëtar të Arsimit. Artdashësit korçare, dhe jo vetëm mund të shohin premierën e Komedisë “Pas vdekjes” më 17 korrik, ora 20:30.