Ku të shikoni yjet që bien në Shqipëri - Into Albania

Ku të shikoni yjet që bien në Shqipëri

Data 10 gusht, e njohur tradicionalisht si “Nata e lotëve të Shën Lorencit”, ku ndodh fenomeni astronomik i kalimit të meteorëve Perseida, ofron një spektakël të rrallë qiellor, e zgjat më tepër se sa thjesht një natë. Nëse doni të shikoni këto copëza të kometës Swift-Tuttle që kalojnë mbi Tokë, më poshtë po ju paraqesim vendet më të mira për ta bërë këtë në Shqipëri:

Parku Shebenik-Jabllanicë

Parku Kombëtar Shebenik-Jabllanicë njihet për krijimin e astro-tureve përgjatë gjithë vitit, ku përmes teleskopëve mund të vështroni trupat qiellorë, e të hasni një tapet yjesh që shihet qartë në park. Për ta kthyer në një festë të vërtetë këtë event, nga data 09-13 gusht Astrotourism Albania organizon “Netët e vrojtimeve”, ku do të ketë gjithçka: vrojtim të shiut të Perseidës, guidë profesionale dhe  shikim me teleskop të Hënës, Jupiterit apo Saturnit, tenda përkatëse, ushqim tradicional, dhe zjarr rreth të cilit do të mblidhen vizitorët. Për t’u njohur më tepër me të gjithë ofertën kliko këtu.

Kallkan Mountain peak

Mali i Kallkanit, 2,189 metra mbi nivelin e detit. Foto nga IntoAlbania.

Thethi dhe Valbona

Thethi dhe Valbona janë gjithashtu vendet ideale për të parë qiellin, falë lartësisë në të cilën ndodhen. Të shumta janë turet që nisen për në Theth apo Valbonë çdo fundjavë, ndaj përfitoni të kombinoni vrojtimin e qiellit në mbrëmje, me zbulimin e natyrës së paprekur gjatë ditës.

Burimi i fotos: Matthew Storer.

Llogara

Parku Kombëtar i Llogarasë është lehtësisht i arritshëm nga kushdo që ndodhet në jug për të shijuar fundjavën në brigjet e Jonit, ndaj nëse doni të keni një pikë vërtet të mirë për të asistuar në shiun e meteorëve, ky park mund të jetë zgjedhja e duhur.

Foto e Llogarasë nga Dukati, Vlorë. Burimi i fotos: Sarah Goolishian.

Mali Korab

Si maja më e lartë në Shqipëri, pa diskutim që shiu i meteorëve këtu shijohet si në pak vende të tjera. Nga lartësitë e Korabit qielli është përherë mahnitës, ndaj përfitoni nga ky event për të vizituar malin, ku nëse keni çadrat dhe pajisjet e nevojshme për kamping, mund të kaloni një fundjavë vërtet unike.

Mali i Korabit, Dibër. Foto nga Egzon Bytyqi.
instagram.com/egzonbytyqiphoto/

Mali i Dajtit 

Për të gjithë banorët e kryeqytetit që duan të përfshihen më shumë nga atmosfera romantike e një qielli plot me yje që bien (siç thuhet figurativisht), ekziston gjithmonë mundësia e një vizite të shpejtë në Malin e Dajtit, ku mund të pushohet në një nga shumë hotelet apo shtëpitë e pushimit të ndërtuara aty.

Kudo të ndodheni, rëndësi ka të përfitoni nga ky event për të parë më me vëmendje qiellin, e rigjetur një qasje më shpirtërore ndaj jetës.