Media Franceze - Riviera Shqiptare një Tajlandë e Vogël - Into Albania

Media Franceze – Riviera Shqiptare një Tajlandë e Vogël

Bukuritë shqiptare janë kthyer në një destinacion turistik të dashur për të huajt, dhe këtë gjithnjë e më shumë po e vërtetojnë mediat e ndërkombëtare. Kësaj herë ka qenë France 2  e cila i ka kushtuar një kronikë plazheve mahnitëse të Shqipërisë. Në këtë reportazh të shkurtër turistët ftohen ta vizitojnë Shqipërinë, si një vend lehtësisht të arritshëm në Evropë.

“Vetëm katër orë larg nga Parisi, Shqipëria është një destinacion lehtësisht i arritshëm në Europë. Kudo që të ndodheni, deti dhe malet janë para syve tuaj në horizont. E mbiquajtur si “Tajlanda e vogël” nga banorët plazhet e Ksamilit, me ujin e tij ngjyrë gurkali, e ka kthyer atë në një nga të preferuarit për turistët”, thuhet në reportazhin e “France 2”.

Nga ujërat e kristaltë në vendet historike, ky shtet ballkanik ka gjithçka për të joshur turistët.

“Uji, deti është fantastik. Ngjyra është si në Maldive”, thotë një turiste.

Patrice Pappas, një pushues francez që ka zgjedhur jugun e Shqipërisë për pushime, shprehet se “vendi në të cilin jemi këtu nëse do të mund ta spostonim në Cote DÁzur, do të paguanim 7-10 herë më shumë nga atë që paguajmë në këtë zonë.”

Në vitin 2019, Shqipëria mirëpriti më shumë se 6.5 milionë turistë, gati dyfishi i numrit të 15 viteve më parë. Për t’i akomoduar ata, hotelet po shumohen në Rivierën Shqiptare me dhoma të cilat fillojnë rreth 50 euro për natë.

Vizitorët që largohen për një moment nga plazhi mund të zbulojnë pasuritë e tjera të këtij vendi, siç është Butrinti, një park arkeologjik i vendosur në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, shprehet gazetarja në reportazhin e realizuar për bukuritë Shqiptare. Me 235 mijë vizitorë, në vitin 2019, ky është siti kulturor më i vizituar i Shqipërisë.

E mbyllur përgjatë dekadave të regjimit komunist, Shqipëria ndjek rrugën e turizmit prej disa vitesh. Një vend ballkanik që i ofron turistëve peizazhet e fundit të paeksploruara të Mesdheut e që mbetet ende edhe sot një destinacion i lirë.

 

Ndërkohë më herët ishte edhe gazetarja franceze Saliha Hadj Djilad, e njohur si promovuese e destinacioneve tërheqëse të botës, fokusit të saj nuk i ka shpëtuar as Shqipëria. Gazetarja thotë se nuk nevojitet as certifikatë vaksinimi për të shkuar në Shqipëri duke u shprehur se është një vend që e ka menaxhar më së miri krizën e pandemisë së Covid-19. Në një përshkrim të detajuar gazetarja ka folur jo vetëm për kryqytetin dhe çfarë mund të vizitosh në të, si edhe nuk ka lënë pa prekur dhe Rivierën Shqiptare duke e krahasuar atë me të famshmen Cote D’Azur.

Dhërmi, foto nga Gëzim Mavriq

Himara, South Albania

Plazhi i Himarës, Vlorë, ©Fation Plaku