Mozaiku i Tiranës - Thesari Arkeologjik i Kryeqytetit i Nënshtrohet Restaurimit - Into Albania

Mozaiku i Tiranës – Thesari Arkeologjik i Kryeqytetit i Nënshtrohet Restaurimit

Mozaiku i Tiranës një ndër pasuritë kulturore të kryeqytetit që i përket shekullit të 3-të të erës sonë, i është nënshtuar restaurimit. Lajmin e ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, i cili është shprehur se praktika e atelieve të restaurimit nga Qendra Rajonale për Konservim dhe Restaurim pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore vijon në 2020 me objekt konservimin e Mozaikut të Tiranës.

Më herët ky objekt i trashëgimisë kulturore është vizituar edhe nga Ministria e Kulturës e cila është shprehur se, Mozaiku i Tiranës është një nga dëshmitë historike, kulturore më domethënëse të qytetit. Me gjithë kujdesin e vazhdueshëm, koha ka lënë gjurmët e veta në këtë monument, ndaj dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore së bashku me Drejtorinë Rajonale të Tiranës kanë nisur punën për konservimin dhe restaurimin e tij. Ndërhyrjet konservuese synojnë stabilizimin e gjendjes fizike të tre mozaikëve, minimizimin e patologjive të degradimit, si dhe përmirësimin e imazhit të tyre estetik.

Mozaiku i Tiranës, foto nga IntoAlbania

Mozaiku i Tiranës, foto nga IntoAlbania

Mozaiku mendohet se i përket dyshemesë së një shtëpie tipike të kohërave të hershme. Ngjyrat dhe figurinat në mozaik reflektojnë gjithë fizionomi në e banesave të pellgut të Tiranës që pasuroheshin me shumë dekorime.

Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Sipas specialistëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambienti kryesor i saj. Mozaiku përmban motive gjeometrike e floreale, por edhe motive tipike të Krishtërimit të hershëm, si gërsheti i stilizuar, rozetat e peshqit. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) dhe gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut të kësaj lagje zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit.

Mozaiku i Tiranës, foto nga IntoAlbania

Mozaiku i Tiranës, foto nga IntoAlbania