Muzeu Artizanal "Tradita Popullore" - Into Albania

Muzeu Artizanal “Tradita Popullore”

Pozicionuar vetëm disa minuta larg me makinë nga Tirana, ky dyqan-muze shfaq disa nga veshjet më tërheqëse e autentike tradicionale shqiptare, duke përbërë një mundësi unike për t’u njohur me traditat e pasura të së shkuarës.

Veshjet tradicionale shqiptare Lord Bajroni i konsideronte më të mrekullueshmet në botë. Nuk duhet shumë mund për të kuptuar arsyen e kësaj joshje të tij pas kostumeve popullore shqiptare. Mjafton të ngjiteni në katin e katërt të Casa Italia, dhe përpara do t’ju shfaqet Muzeu Artizanal Tradita Popullore, një nga hapësirat më të rëndësishme të ekspozimit dhe shitjes së veshjeve tradicionale shqiptare.

Hyrja e Muzeut Artizanal “Tradita Popullore”, foto nga IntoAlbania.

Që nga veshjet mbi njëqind vjeçare, tek veshjet e riprodhuara nga duart e artizanëve që punojnë në punishten e muzeut, këtu mund të kesh një takim unik me kulturën shqiptare. Një sipërmarrje që ka nisur 15 vite më parë falë krijmtarisë së Edlira Sulaj, e cila diti të kthente pasionin e saj për qëndisjen dhe veshjen jo vetëm në një biznes të suksesshëm, por në një mundësi për ruajtjen dhe promovimin e një pjese të identitetit të shqiptarëve.

Veshjet e ateliesë në një nga eventet e organizuara te ambjentet e “Tradita Popullore”. Burimi i fotos: “Tradita Popullore”.

Në Muzeun Artizanal, na shfaqen xhubleta, jelekë e kostume të vjetra të ardhura nga e gjithë Shqipëria. Ato na mundësojnë të bëjmë një udhëtim krejt të rrallë në të shkuarën e traditave vendase, në zakonet dhe sjelljet e shoqërisë shqiptare përgjatë shekujve.

Pjesë e seksionit të muzeut, foto nga IntoAlbania.

Mes veshjeve të ekspozuara spikat një jelek shumë i vjetër , që është i qëndisur i gjithi në ar. Është e vështirë të përcaktohet ekzaktësisht data e punimit të jelekut, por mendohet se i përket fundit të shekullit të 19 dhe fillim shekullit të 20-të.

Një jelek i vjetër i qëndisur në ar, që mendohet se i përket fundshekullit të 19-të dhe fillimshekullit të 20-të. Foto nga  IntoAlbania.

Edlira na thotë se për të realizuar një veshje të tillë mund të duhen dhe vite, nëse për ta punuar është vetëm një person. Penjtë që janë përdorur për qëndisjen kanë qenë të prerë nga 5 milimetra, dhe lënda e parë është dashur të vijë e gjitha nga jashtë vendit. Jeleku i përket zonës së Shijakut, që ka qenë një nga zonat më të famshme të bejlerëve në Shqipërinë e Mesme.

Disa detaje nga jeleku i qëndisur në ar, foto nga IntoAlbania.

Edhe veshjet e tjera të shfaqura në hapësirën muzeale, i përkasin të njëjtës periudhë. Ndalojmë dhe te xhybja e Mirditës. Interesante është qëndisja e të bardhës mbi të bardhë, të panës mbi panë, që tregon më së miri punimin delikat të kryer. Sipër leshit është qëndisur diçka e imët, një tantellë gjilpëre siç quhet, tek sa kryqi pagan është një simbol krejt unik që dominon veshjen.

Xhybja e Mirditës, foto nga IntoAlbania.

E nëse e keni parë pikturën e famshme të Bajronit me veshje tipike shqiptare të jugut, ndoshta do të habiteshit se këtu është ekspozuar një model shumë i ngjashëm, me mëngët e pasuruara nga kryqi i qëndisur në ar. Madje edhe periudha kohore prej nga vjen jeleku është po e njëjta.

Një jelek tradicional shqiptar i zonës së jugut, foto nga IntoAlbania.

Por Tradita Popullore në ambjentet e saj ofron dhe riprodhime të shumta, suvenire, bizhu e objekte të tjera karakteristike të veshjes shqiptare.

Në total janë realizuar mbi 400 modele veshjesh për burra e gra, vajza e djem, fëmijë e pleq, një pjesë e të cilave ekspozohen bukur në ambjentet e sallonit. Për realizimin e çdo veshje ka nga pas një punë shumë të madhe. Fillimisht përzgjidhen copat, pastaj përpunohen penjtë, kombinohen penjtë e arit me ngjyrën e copave apo bizhutë e tjera dekoruese, e në fund realizohet qëndisja, që i jep dritë të gjitha elementeve të tjera.

Një nga veshjet e riprodhuara në atelie, foto nga IntoAlbania.

Artizanët e Traditës Popullore ndajnë po të njëjtin dedikim të Edlirës në punën e tyre të përditshme. Falë një stafi me 12 punonjës, këtu finesa dhe saktësia e punimeve është e tillë, sa ka bërë të mundur që në të gjitha festivalet popullore, spektaklet televizive, apo eventet ku veshja shqiptare merr vëmendjen e duhur, të jetë pikërisht Edlira me ekipin e saj, që realizojnë pjesën dërrmuese të tyre.

Një tjetër veshje e riprodhuar nga “Tradita Popullore”, foto nga IntoAlbania.

Te Tradita Popullore vizitorët kanë mundësi të shohin jo vetëm hapësirën muzeale dhe veshjet e riprodhuara, por edhe mënyrën se si realizohet punimi i një veshje tradicionale, si punohen fijet, qëndismat, tezgjahu, madje mund të krijojnë dhe produktin e tyre të personalizuar apo të ndjekin eventet që organizohen aty herë pas here.

Një nga veshjet ku e zeza është e qëndisur mbi të zezë, foto nga IntoAlbania.

Detaje nga veshjet në atelie, foto nga IntoAlbania.

Për t’u njohur me veshjet e traditën shqiptare, për të blerë një suvenir, apo edhe për t’u përfshirë nga biseda plot energji e Edlirës, ja vlen të bëni një ndalesë te Tradita Popullore, aty ku parakalon modestisht një pjesë e trashëgimisë së pasur shqiptare.