Muzeu "Onufri" tashmë me sistem audio-guide në 4 gjuhë - Into Albania

Muzeu “Onufri” tashmë me sistem audio-guide në 4 gjuhë

BERAT, 23 MAJ, 2019 – USAID, Sweden dhe Creative Business Solutions (CBS) prezantuan sot “Sistemin dixhital të audio-guidës” në mbështetje të Muzeut Kombëtar Ikonografik “Onufri” në Berat. Për herë të parë në një muze kombëtar të Shqipërisë, vizitorët do të mund të dëgjojnë në katër gjuhë të ndryshme, shqip, anglisht, italisht dhe gjermanisht, historinë dhe informacionet më interesante për muzeun, ikonat, si dhe ikonografët e njohur që ndodhen në muze.

Sistemi i audio-guidës synon zhvillimin e strukturës dixhitale të muzeut. Ai u financua nga USAID dhe Ambasada Suedeze, dhe u implementua nga Creative Business Solutions, përmes projektit IntoAlbania (Turizmi Inovativ në Shqipëri). Projekti u realizua falë bashkërendimit të punës së IntoAlbania me Ministrinë e Kulturës, Qendrën Kombëtare të Muzeumeve Berat si dhe Muzeun Ikonografik “Onufri”, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar shkencor në realizimin e procesit. Ndër bashkëpunëtorët e tjerë
të rëndësishëm vlen të përmenden gjithashtu Orpheo Group, grupi konsulent lider ndërkombëtar në realizimin e eksperiencave dixhitale muzeale, si dhe A.A Film Company e bazuar në Tiranë.

Onufri Museum

Muzeu “Onufri”, Berat, foto nga IntoAlbania.

Ministrja e Kulturës Elva Margariti, Drejtuesja e Misionit të USAID Mikaela Meredith, Drejtori Ekzekutiv i CBS Enio Jaço, si dhe Drejtori i Qendrës Kombëtare të Muzeve Berat Agron Polovina, diskutuan mbi impaktin që ky projekt pritet të ketë në numrin e vizitorëve të muzeut dhe zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës kulturore e turistike të qytetit të Beratit.

Në fjalën e saj Ministrja e Kulturës Elva Margariti u shpreh ndër të tjera se “Përvoja e zbulimit në mënyrë të pavarur, përmes audioguidave, e cila i ka dhënë rezultatet e veta në muzetë, kudo në botë, tashmë vjen edhe në Shqipëri, së pari në Muzeun “Onufri”, me shpresën që të thithë sa më shumë turistë e që të mund ta implementojmë edhe në muzeume të tjera të vendit tonë.”

Drejtuesja e Misionit të USAID në Shqipëri Mikaela Meredith, u shpreh se përmes këtij projekti “Onufri vendos standarde më të larta për t’u arritur edhe nga muzetë e tjerë në Shqipëri.”

Ndërkohë Drejtori Ekzekutiv i CBS, Enio Jaço, shprehu gjithashtu konsideratat e tij mbi projektin. “Sot po festojmë lançimin e sistemit të parë dixhital të audio-guidës të instaluar në një muze në Shqipëri. Është një teknologji e shkëlqyer që transformon përvojën e vizitorit përmes rrëfimit në 4 gjuhë, tek sa i mundëson kujtdo të eksplorojë muzeun në ritmin vetjak,”- tha Jaço.

Të pranishmit i përshëndeti dhe Drejtori i Qendrës Kombëtarë të Muzeumeve Berat, Agron Polovina, i cili në fjalën e tij tha se “produkti final që kemi sot në duar nuk duhet parë kurrësesi si një pikë mbërritje, por si pikënisje e një periudhe të re të muzeologjisë së Beratit, që orientohet drejt turizmit dixhital.”

Onufri Museum

Muzeu “Onufri”, Berat, foto nga IntoAlbania.

Projekti IntoAlbania i financuar nga USAID dhe Sweden, u krijua me qëllim përmirësimin e infrastrukturës teknologjike turistike të Shqipërisë. Mbi 25 mijë turistë kanë vizituar Shqipërinë falë ndihmës së platformave të IntoAlbania.