Muzikë, festë dhe mesazhe tolerance në natën e parë të Jazz Fest-it - Into Albania

Muzikë, festë dhe mesazhe tolerance në natën e parë të Jazz Fest-it

Ishte parathënë si një nga eventet më të rëndësishme të verës, dhe nuk po zhgënjen aspak pritshmëritë! Edicioni i 7-të i Jazz Fest, organizuar nga Hemingway Fan Club, çeli dje siparin në ambjentet e Korpusit Qendror të Universitetit të Tiranës, me rastin e ditëlindjes së shkrimtarit të shquar amerikan, Ernest Hemingway.

Nata e parë e Jazz Fest-it

Në një ambjent tejet sugjestiv, të pranishmit e nisën festën nën ritmet e Opa Cupa-s dhe trombës karizmatike të liderit të bandës, Cesare Dell’Anna. Grupi nga Salento prej dy dekadash është kthyer në një realitet muzikor që numëron plot ndjekës, falë gërshetimit të muzikës jazz me tingujt tipik mesdhetarë apo ballkanik.

Tingujt e Opa Cupa-s ja dolën të përfshinin publikun në udhëtime muzikore që nisnin në jug të Italisë, e vazhdonin në Ballkan, e deri tek Lindja e Mesme, duke sjellë për një orë e gjysëm një atmosferë gati shpërthyese.

Foto nga IntoAlbania.

Barcelona Gypsy balKan Orchestra

Tek sa publiku kishte respektuar dress code-in, që kërkonte për natën e parë një veshje me ngjyrë të bardhë dhe aksesorë shumëngjyrësh, organizatorët nga ana e tyre i qëndruan besnik tematikave të racizmit, emigracionit dhe paqes, të cilat vinin si lajtmotiv i festës.

Grupi i dytë që performoi për publikun ishte ai i Barcelona Gypsy balKan Orchestra, që prej 7 vitesh udhëton kudo në botë, duke ofruar jo vetëm muzikë cilësore jazz-i, por edhe tinguj sa ballkanik, aq edhe të komuniteteve të ndryshme botërore.

Foto nga IntoAlbania.

Grupi është i duhuri për t’i bërë homazhe dhe emrit të Hemingwayt, që me letërsinë e tij ishte lëvrues i një jete pa mure, plot me energji, entuziazëm, dëshirë për të eksploruar vende e njohur njerëz e kultura nga e gjithë bota. E njëjta filozofi vihet re dhe tek BGKO. Vetë anëtarët e grupit janë të ardhur sa nga Spanja e Franca, aq edhe Serbia apo Italia, duke patur si emërues të përbashkët muzikën, që nuk njeh kufij ndarës por veç bashkues.

Foto nga IntoAlbania.

Vokalistja e grupit, Sandra Sangiao, veshur me të kuqe të ndezur, elektrizoi publikun duke interpretuar dhe pjesë të njohura si “Lule lule”. Duke folur për IntoAlbania-n, Sandra u shpreh se ajo që BGKO kërkon të bëjë është pikërisht të celebrojë jetën. “Muzikën tonë e shohim si pikëtakimi mes lindjes dhe perëndimit. Jemi një grup prej 7 anëtarësh të ardhur nga vende të ndryshme, që duam të celebrojmë atë çka jemi. Pavarësisht kulturave në dukje të ndryshme, në fund jemi një gjë e vetme,” – tha Sangiao.

Organizimi dhe nata e dytë

Pauzat muzikore të ardhura nga Ghiaccioli e Branzini, e performancat e tjera interesante të mbrëmjes, bënë që festa të zgjaste nga ora 8 e mbrëmjes deri në orët e para të mëngjesit. Për të gjithë ata që natën e parë e humbën mundësinë për të festuar si duhet, sot Jazz Fest-i vazhdon me natën e dytë, me të ftuar special Rumba de Bodas.

Foto nga IntoAlbania.

Mbi Hemingway Bar

Vendosur në një nga zonat më tradicionale të qytetit, plot me vila tradicionale Italiane e pa dyndje lokalesh të tjerë, Hemingway tashmë gëzon një popullaritet të patundshëm. Edhe pse duket fillimisht si një klub ekskluziv për një grup të caktuar njerëzish, këtu të gjithë janë të mirëpritur! Ja përse Hemingway Bar është organizatori perfekt i një eventi që i bën nderime figurës së Hemingway-t, jazz-it, kulturës dhe harmonisë.