Një nga një ndriçohen kalatë historike të Shqipërisë - Into Albania

Një nga një ndriçohen kalatë historike të Shqipërisë

Duke nisur me Kalanë e Krujës dhe atë të Beratit, projekti i ndriçimit të kalave të vendit po i kthen këto kryevepra të historisë së vendit në destinacione të bukura nokturne.

Ndriçimi i kalasë së Beratit dhe ai i kalasë së Krujës janë rezultat i projektit të ndriçimit të realizuar nga Ministria e Kulturës. Të dy kalatë në fjalë janë disa prej atraksioneve më të njohura në vend dhe nga më të vizituarat nga turistë vendas dhe të huaj. Kalaja e Beratit mbetet një nga monumentet e mbrojtura nga UNESCO ndërsa Kalaja e Krujës është një nga pikat më të rëndësishme të historisë shqiptare dhe të heroit të saj, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Ky ndriçim i bën kalatë jo vetëm të vizitueshme edhe gjatë mbrëmjes por i dhuron atyre një tjetër madhështi, e cila deri më sot kish munguar. Kalatë tashmë janë edhe me tërheqëse për turistët e veçanërisht për fotografët.

Ndriçim i ri në Kalanë e Beratit. Foto nga Elva Margariti.

Kalaja e Beratit

Një nga të vetmet kala të banuara në vend, ajo qëndron që prej shekullit të 4-ët para Krishtit në majë të një kodre të këtij qyteti të lashtë. Nga oborri i fortifikuar i kalasë shihet i gjithë qyteti i Beratit, lumi Osum dhe ura e vjetër e Goricës. E qarkuar me mure prej guri, me 24 kulla vrojtimi, Kalaja e Beratit është nga më të bukurat në Shqipëri. Nga romakët, ajo u quajt Fortesa e Arbërve ndërsa, në vitin 216 p.e.s, ajo u përmend me emrin e lashtë Antipatrea. Tashmë e ndriçuar, kalaja është ambient më I këndshëm edhe për banorët e saj.

Kalaja e Krujës

Prej 16 shekujsh, Kalaja e Krujës qëndron mbi një kodër shkëmbore të Krujës, një herë e një kohë qendra e shtetit të Arbrit. Kalaja qëndron në 557 metra lartësi, e bukur dhe e pashembur ndonëse ka përballuar sulme të panumërta. Në një kohë kur perandoria osmane sundonte një pjesë të madhe të Evropës, duke përfshirë Konstantinopojën dhe Ballkanin, kalaja e Krujës mbeti e pamposhtur për një periudhë të gjatë. Në këtë kryefortesë të qendresës kundër pushtimit osman u ngrit flamuri për herë të parë në 28 Nëntor 1443.