28 Nëntori – Ku ta festosh Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë - Into Albania

28 Nëntori – Ku ta festosh Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë

Më 28 Nëntor 1912, u shpall Pavarësia e ShqipërisëVlorë, duke shënuar momentin më të rëndësishëm historik për formimin e shtetit shqiptar. Çdo vit kjo datë shënon festën kryesore për shqiptarët kudo ku ata ndodhen, dhe të gjitha qytetet në Shqipëri përfshihen nga atmosfera dhe flamujt kuq e zi. Por cilat janë vëndet ku ja vlen të jeni për Festën e Flamurit? Më poshtë po ju paraqesim destinacionet  ku do bënit mirë të ishit për ta përjetuar të plotë këtë ditë.

1. Sheshi i Flamurit, Vlorë

Është sheshi ku 28 Nëntori festohet më bukur se kudo tjetër! Flamujt kuq e zi mbushin përherë sheshin e qytetit bregdetar të Vlorës, tek sa eventet që organizohen janë të shumta, dhe atmosfera është vërtet përfshirëse.

Në qendër të sheshit ndodhet Monument i Pavarësisë, që është ndërtuar në vitin 1972 në nder të momentit historik më të rëndësishëm të Shqipërisë, Shpalljes së Pavarësisë. Për monumentin kanë punuar skulptorët Muntaz Dhrami, Kristaq Rama dhe Shaban Hadëri, dhe në grupin skulpturor prej bronzi spikat figura e Ismail Qemalit, arkitektit të Pavarësisë, që u bë dhe Kryeministri i parë i historisë së Shqipërisë. Monumenti është 17 metra I lartë, dhe në krye të tij valëvitet simbolikisht një flamur në bronz.

Monumenti i Pavarësisë, Vlorë. Foto nga IntoAlbania

Sheshin e Flamurit ndodhet dhe Shtiza e Flamurit, një piedestal i dekoruar me datën e pavarësisë dhe shqiponjën kombëtare. Nëse gjendeni në shesh për këtë ditë, nuk mund të mos bëni dhe një ndalesë në varrin e Ismail Qemalit, që ndodhet pas Shtizës së Flamurit brenda lulishtes aty pranë. Një kurorë me lule apo një kujtim simbolik në nder të babait të kombit shqiptar do të ishte mënyra e duhur për të nderuar figurën e Qemalit dhe këtë event.

2. Muzeu i Pavarësisë, Vlorë

Mbetemi në qytetin ku u shpall Pavarësia, e akoma më mirë, në ndërtesën ku u ngrit për herë të parë flamuri i Shqipërisë së pavarur. Muzeu i Pavarësisë është vendi ku evokohet më së miri jo vetëm data e shënuar e valëvitjes së flamurit, por edhe historia e asaj periudhe, përmes relikeve unike të protagonistëve të saj. Për festat e nëntorit vizita në muze është falas. Lexoni artikullin tonë për më tepër mbi muzeun duke klikuar këtu.

Muzeu i Pavarësisë në Vlorë

Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë dhe flamujt kuq e zi, foto nga IntoAlbania.

3. Sheshi Skënderbej, Tiranë 

Është gjithashtu një nga sheshet më popullorë për festa e nëntorit, dhe këtë vit atmosfera ka nisur që më herët me vendosjen e “Fshatit të festave” të fundvitit, ku nuk do mungojnë aktivitetet e dedikuara për 28 Nëntorin. Spektakli i fishekzjarreve në mbrëmje, dhe atmosfera festive që do të përcillet në shesh ja vlen ta vendosni në kalendar.

National Museum of History

Muzeu Historik Kombëtar, foto nga IntoAlbania.

Muzeu Historik Kombëtar që ndodhet në shesh është gjithashtu një opsion i mirë për të festuar 28-ën. Muzeu është më i madhi në vend, dhe në të përcillen etapat e gjithë historisë së Shqipërisë, përfshirë periudhën e Rilindjes Kombëtare e Pavarësisë. Edhe ky muze për këtë ditë është falas. Lexoni artikullin tonë të dedikuar për më tepër mbi muzeun.

4. Kalaja e Krujës, Krujë

Të mos harrojmë se nëse u zgjodh data 28 e muajit të 11 për të shpallur pavarësinë nga sundimi i Perandorisë Osmane, kishte një arsye shumë të fortë. Ishte pikërisht 28 Nëntori i 1443 kur për herë të parë Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar mbi Kalanë e Krujës, duke shënuar një moment të rëndësishëm të organizimit kombëtar. Betejat e suksesshme të Skënderbeut, mundësuan që emri i tij të ishte përherë inspirim për lëvizjet kombëtare shqiptare, si psh Rilindjen Kombëtare, që mundësoi Shpalljen e Pavarësisë.

Muzeu Kombëtar "Gjergj Kastrioti Skënderbeu”

Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Krujë, foto nga IntoAlbania

Muzeu i Skënderbeut që ndodhet në Kalanë e Krujës është gjithashtu një nga muzetë më të rëndësishëm historik të vendit, dhe përkujton të gjithë periudhën e Skënderbeut dhe atë të principatave shqiptare. Muzeu ashtu si të gjithë muzetë e tjerë shtetëror është falas për këtë ditë.

5. Memoriali i Skënderbeut, Lezhë

Memoriali i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu është gjithashtu një vend ku mund të ndaloni për Festën e Flamurit. Edhe pse eshtrat e heroit mendohet se u rrëmbyen nga ushtarët turq 12 vite pas vdekjes së tij, memoriali përkujton vendin ku u preh heroi në 1468, dhe është një nga monumentet më të vizituar në vend. Vizita në Lezhë mund t’ju mundësojë në disa ndalesa të tjera si në Kalanë e Lezhës apo në Obeliskun e Besëlidhjes.

Memorial of Skanderbeg

Memoriali i Skënderbeut, foto nga IntoAlbania.

Përtej këtyre vendeve, jo vetëm në Shqipëri por edhe në shtetet e ndryshme të botës, kudo ku ka shqiptarë ka evente të ndryshme që mbahen për të celebruar Festën e Flamurit. Mos harroni të vendosni flamurin kuq e zi jashtë ballkonit të shtëpisë tuaj!