Organizatat Mjedisore - Të Krijohet Parku Kombëtar i Vjosës - Into Albania

Organizatat Mjedisore – Të Krijohet Parku Kombëtar i Vjosës

Prej vitesh ruajtja e Vjosës është kthyer në kauzë jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të ndërkombëtarëve, për mbrojtjen e  natyrës dhe e biodiversitetit të saj.

Gjatë këtyre ditëve, 20 organizata mjedisore shqiptare nën drejtimin e EcoAlbania-s, paraqitën propozimin për krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës tek Ministri i Mjedisit dhe Turizmit Blendi Klosi. Kjo kauzë vjen në mbështetje nga organizatat ndërkombëtare si, Riverwatch, EuroNatur, WWF Adria, Westland International Europe, International Rivers dhe The Nature Conservancy.

Madje kjo çështje ka marrë vëmendje edhe në mediat e huaja, Euronatur ka shkruar për kërkesën për ta kthyer këtë zone në një Park Kombëtar.

Euronatur shprehet se sipas propozimit të organizatave, parku kombëtar duhet të përmbushë standardet e IUCN dhe të përfshijë të gjithë lumin Vjosa në Shqipëri si dhe degët e paprekura të Vjosës si Bënça dhe Shushicë. Në total, Parku Kombëtar i propozuar i Vjosës do të mbulojë rreth 45,000 hektarë dhe do të mbrojë rreth 300 kilometra rrjedhë ujore. Kjo do të ishte unike në Evropë dhe Vjosa mund të bëhet Parku i parë Kombëtar i një Lumi të Egër në Evropë.

Lumi Vjosa foto nga guideventurous

Deri më tani, 1,175 specie kafshësh dhe bimësh janë regjistruar përgjatë Vjosës, duke përfshirë 119 specie të mbrojtura sipas ligjit shqiptar dhe 39 specie që janë të listuara në Listën e Kuqe Ndërkombëtare të Specieve të Kërcënuara të IUCN. Në fakt, numri i specieve të rralla është ndoshta shumë më i lartë, pasi shumë zona të Vjosës dhe degëve të saj vështirë se janë eksploruar.

Një Park Kombëtar sipas kritereve të IUCN është kategoria më e përshtatshme e mbrojtjes për Vjosën, sepse jo vetëm garanton më së miri mbrojtjen e këtij ekosistemi unik, por gjithashtu sepse synon zhvillimin e ekoturizmit si një formë e turizmit miqësor me mjedisin si dhe edukimin mjedisor.

Sipas një analize nga grupet mjedisore, do të duhen dy vjet për të planifikuar parkun kombëtar.

“Ne mbështesim konservatorët shqiptarë në kërkesën e tyre për një park kombëtar. Ky lum meriton kategorinë më të lartë të mbrojtjes dhe pa diga! Çdo gjë më pak se një park kombëtar do të ishte e papërshtatshme për Vjosën. Ky lum i fundit i madh i egër në Evropë ka një rëndësi ndërkombëtare. Tani është radha e Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit,”- thotë Annette Spangenberg, shefe e projekteve në EuroNatur.

Grupi i organizatave thekson se tani i takon Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që të shqyrtojë propozimin dhe më pas të filloj zyrtarisht procedure e mbrojtjes.

Lumi Vjosa në Tepelenë. Foto nga Alvaro Galvez.