Panairi i Librit në Tiranë: Vendi ku "duhet me qenë" - Into Albania

Panairi i Librit në Tiranë: Vendi ku “duhet me qenë”

“Fillon Panairi i Librit, duhet me qenë”, ishte një frazë e bukur që na zuri veshi këtë mëngjes, shkëmbyer mes dy mikeshash universitare.

Prej më shumë se njëzet vitesh, nëntori është takimi më i rëndësishëm që botuesit shqiptarë kanë me lexuesit e të gjitha moshave, të të gjitha shijeve dhe interesave. Mes pothuajse njëqind ekspozuesëve, në këtë periudhë, ndizet një garë e shëndetshme dhe ambicioze për të rrëmbyer vëmendjen e vizitorëve. Nuk është sekret, për shembull, që shumë prej tyre, ruajnë një titull surprizë, një autor të ri, për ta sjellë enkas, në prag panairi.

Burimi, Botimet Pegi.

Kështu, vumë re se Shtëpia Botuese Pegi, pasi shojti kureshtjen e lexuesit vitin e kaluar, duke zbuluar identitetin e vërtetë të autorit Tom Kuka, këtë vit, sjell një tjetër titull nga Enkel Demi, nën të njëjtin pseudonim: “Ora e ligë”.

Ndërkohë, Botimet UET Press, krahas autorëve shqiptarë që popullojnë rregullisht Panairin e Librit, si Blendi Fevziu apo Preç Zogaj, ka sjellë këtë vit, librin e parë të gazetares Iva Tiço, “Për vete”.

Burimi, Botimet UET Press.

Modelja shqiptare me një karrierë ndërkombëtare, Anxhela Martini, ia ka besuar Shtëpisë Botuese Dudaj, të parin rrëfim autobiografik të jetës dhe sigurisht, “Dudaj” nuk mund të zgjidhte moment më të mirë për ta promovuar këtë libër.

burimi, Botimet Dudaj

Nobelisten e shpallur së fundmi Olga Tokarczuk, e gjeni në stendën e Shtëpisë Botuese Albas, e cila ka njëkohësisht një kujdes të veçantë për librat për fëmijë. Në stilin e një përralle, Albas sjell historinë e mbretëreshës Geraldinë, në periudhën e saj të fëmijërisë, rrëfyer nga pena e princeshës Elia Zaharia Zogu, me titull “Trëndafili i bardhë”.

Burimi, Shtëpia Botuese Albas.

Një ngjarje e padiskutueshme letrare është konsideruar sjellja në shqipen standarde e veprës më të famshme të Homerit, Iliadës, e cila vjen nën çatinë e botimeve Toena.

Burimi, Botimet Toena

Të panumërt janë titujt e botimeve të reja, apo ribotimeve të kryeveprave të letësisë botërore, të gjithë me çmime të reduktuara.
Ky lloj “flirtimi” me lexuesin mesa duket ka filluar të funksionojë dhe publiku përgjigjet. E me gjithë statistikat e sondazheve që ngrenë vit pas viti alarmin për një humbje të vazhdueshme lexuesish, Panairi i Librit, ka arritur të kthehet në vendin ku “duhet me qënë”, nga data 13 deri në 17 nëntor.