Parku Natyror Pishporo - Oazi i Qetësisë së Flamingove - Into Albania

Parku Natyror Pishporo – Oazi i Qetësisë së Flamingove

Flamingo, ky zog lozonjar çdo ditë e më shumë po kthehet në shpendin më të dashur në Shqipëri, jo vetëm për spektaklin që dhuron, por edhe që prej disa vitesh po zgjeron dhe habitatin e tij.

Prej tre vitesh kolonia e këtij shpendi ka zgjedhur bregdetin e Pishoporos,  i cili pozicionohet në derdhje të Vjosës, duke e kthyer në një shtëpi të re për flamingot që kanë gjetur habitatatin e tyre të qetësisë në ligatinat e plazhit.

Laguna e Nartës, ndër më të mëdhatë në vendin tonë, e shtrirë në pjesën veriperendimore të qytetit të Vlorës, është strehëza e ëmbël e flamingove. Shpendi lozonjar e ka kthyer këtë zonë në një atraksion për turizmin e sidomos për habitatet natyrore ku ata jetojnë.

Po përsa i përket bregdetit të Pishporo, i cili është i shtrirë mes derdhjes së lumit të Vjosës dhe shkon deri në Zvërnec të Vlorës nuk është vetëm plazh, por është edhe vendi i flamingove, që kanë gjetur oazin e tyre të qetësisë në ligatinat e plazhit duke dhuruar spektakël të paparë.

Ditët e fundit flamingot janë parë duke pushuar në Rezervatin Natyror të Menaxhuar të Pishporos së Fierit, pranë grykëderdhjes së Vjosës.

Ka qenë Fotjon Prençe, shef i Monitorimit në Administratën e Zonave të Mbrojtura në Fier, i cili ka publikuar pamjet e mrekullueshme të flamingove në këtë zonë.

Flaimingot në bregdetin e Pishporo, foto nga Fotjon Prençe

Flaimingot në bregdetin e Pishporo, foto nga Fotjon Prençe

Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit. Këta shpend të bukur me pupla ngjyrë rozë kanë tërhequr edhe vëmendjen e vizitorëve të shumtë vendas dhe të huaj. Flamingot dhurojnë një spektakël ngjyrash kur ngrihen në fluturim, por edhe në formacionet e tyre si dhe në lëvizjen e krahëve. Ata janë kthyer në një atraksion për turizmin. Karakteristikë e tyre janë lëvizjet e trupit dhe të kokës që e sinkronizuar në grup përngjajnë me një vallëzim.

Këto zogj të mrekullueshëm gjithnjë e më tepër po shikohen në brigjet e Pishporos, të cilët vijnë gjatë ditës për të qëndruar pranë këtyre brigjeve dhe në mbrëmje largohen në drejtim të lagunës së Nartës.

Flamingo, foto nga Granit Hyseni