Pikat më të mira të akulloreve në Tiranë - Into Albania

Pikat më të mira të akulloreve në Tiranë

Tek sa ecni në rrugët e këtij kryeqyteti që vetëm sa zgjerohet, do të gjeni me dhjetëra pika akulloresh, apo baresh e shitësve të rrugës që ofrojnë të tilla. Nën rrezet përvëluese të diellit, duke shkelur rrugët e nxehta të qytetit, mund të tundoheni të blini një akullore në dyqanin më të parë. Ndaj jemi këtu, t’ju kujtojmë se jo të gjitha akulloret janë krijuar njësoj! Madje, në disa pika në Tiranë bëhen me aq mjeshtëri sa e meritojnë dhe një rrugëtim special nga anë të ndryshme të qytetit vetëm për t’i provuar. Më poshtë po ju japim listën e atyre pikave që sipas nesh bëjnë diferencën:

Cioccolatitaliani

Le të fillojmë me emrin më të njohur, atë të Cioccolatitaliani-t, që sapo përmendet të detyron të shpiesh këmbët në zemër të ish-Bllokut, apo tashmë dhe tek Kalaja e Tiranës, ku ndodhet pika e dytë e hapur së fundmi. Cioccolatitaliani është pjesë e një zinxhiri pikash akulloresh që origjinën e ka në Milano, e prej vitesh ëmbëlson dhe qytetarët e Tiranës. Arsyet për ta vizituar cioccolatin-in në fakt janë të shumta, pasi përtej kremit të freskët të pistachio-s, fondente-s, nocciola-s, bianco avorio-s e me radhë, do të mund të gjeni dhe një menu kuzhine italiane mjaft të plotë, espresso nga më të shijshmet e të servirura plot kreativitet, si dhe krepat që janë një art më vete. Falë dhe një dizajni goxha modern ku muret janë prej xhami, mjafton të kalosh nga zona e ish-Bllokut dhe do e vësh re lehtësisht këtë pikë, ashtu si edhe pikën tek Kalaja! Kini parasysh se përveç shijeve të shumta prej të cilave mund të zgjidhni, ekziston dhe mundësia për të veshur kaushin tuaj me çokollatë qumështi të shkrirë, apo çokollatë të bardhë, të zezë apo Nutella, duke e bërë akulloren thjesht të parezistueshme!

Ciccolatitaliani, Tiranë, Burimi: facebook.com

La Nocciola

Me dy pika akulloreje në Tiranë, pranë 21-shit, si dhe në zonën e ish-Bllokut, La Nocciola po konfirmohet si një nga akulloret më popullore e të shijshme në kryeqytet. La Nocciola është gjithmonë plot me njerëz, që shpesh mbajnë dhe radhën për të provuar akulloren e freskët. Ajo që bie në sy është dhe emërtimi kreativ i shijeve dhe origjinaliteti i tyre. Ne të preferuar kemi Grindaveci-n, që është një miks i çokollatës, manaferrës dhe kanellës. Është përzierja perfekte për të gjitha ata që le të themi, janë pak grindavec dhe në shije! Të freskëta dhe kremoze do ishte mënyra si do i përshkruanim akulloret këtu. Nuk ka opsion për t’u ulur, ndaj do ju duhet ta merrni kaushin apo kupën e ta shijoni rrugëve të qytetit!

La Nocciola, Tiranë, Burimi: facebook.com

Walker’s

Më tepër se sa thjesht një pikë akulloresh, përballë Librit Universitar do të gjeni një dyqan ku adhuruesit e të ëmblave do të gjejnë produkte nga më cilësoret të emrave më të njohur botërorë. Panettone-t, prodhimet artizanale, apo dhe biskotat e famshme skoceze me gjalp Walker’s prej të cilave dyqani merr emrin, janë të vendosura njëra pranë tjetrës, e ju keni vetëm luksin e zgjedhjes! Por klientët e dyqanit vijnë këtu edhe për një arsye tjetër: për akulloren plot shije! Shija e çokollatës, stikave, apo dhe sorbetove me fruta si qershi apo luleshtrydhe, janë nga më populloret, e serviren në mënyrën më miqësore të mundshme!

Walker’s, Tiranë, Burimi: instagram

Mon Amour

Është padyshim pastiçeria më e famshme e momentit në Tiranë, me disa pika të ndryshme në kryeqytet. Edhe pse me në dukje një ofertë modeste akulloresh, shijet që do të gjeni aty janë nga më populloret e mjaft të freskëta! Duhet bërë vetëm kujdes, pasi tundimi për të dalë dhe me ëmbëlsira të tjera përtej akullores prej Mon Amour-it është mjaft i madh.

Gelateria Çela

Edhe pse nuk ndodhet në Tiranë, menduam ta përfshinim këtë emër si një nga pikat më të njohura të akullores në të gjithë vendin. Të gjithë të apasionuarit pas akullores sa herë kalojnë në Durrës, bëjnë një ndalesë të padiskutueshme edhe aty. Akullorja këtu është e shijeve nga më të ndryshme, dhe vjen përherë e freskët dhe kremoze. Vendndodhja gjithashtu bën diferencën, pasi mund të uleni në dyqan, apo të merrni akulloren anës detit, duke shijuar shëtitoren e Vollgës.

Gelateria Çela, Durrës, Burimi: facebook.com