Plazhet e Ksamilit janë Maldivet e Shqipërisë sipas blogeres së njohur - Into Albania

Plazhet e Ksamilit janë Maldivet e Shqipërisë sipas blogeres së njohur

Bukuritë e rivierës shqiptare gjithmonë kanë gjetur hapësira në mediat ndërkombëtare. I konsideruar si një nga perlat Shqiptare, plazhi i Ksamilit, me ujin e kristaltë, plazhet e qeta dhe ushqimet e freskëta të detit, ka tërhequr vëmendjen e blogeres ukrainase Yuliia Berkuta (në instagram mund ta gjeni me emrin @juli_berk.)

Portali i turizmit magnificentworld, i ka dedikur një artikull të plot Ksamilit dhe çfarë mund të bësh në vendin që Julia e konsideron si Maldivet e Shqipërisë.

Në Ksamil. Foto nga Yuliia Berkuta (@juli_berk)

“Ksamili është një nga vendet më befasuese që kam vizituar në Ballkan, shtëpia e ushqimeve të shijshme të një deti shumëngjyrësh dhe ishujve të bukur” kështu shkruan për faqen e njohur turistike MagnificientWorld fotografja dhe blogerja e njohur e udhëtimeve, Julia Berkuta.

“E kam vizituar Ksamilin në dy raste tani dhe e rekomandoj atë për këdo që udhëton në Shqipëri dhe në këtë udhëzues destinacioni, dua t’ju tregoj përvojat e mia në Ksamil, si edhe t’ju ofroj gjërat më të mira për të bërë gjatë vizitës suaj.”

Ksamil foto nga @juli_berk.

Pasi jep një përshkrim të inpresioneve që ajo ka marrë gjatë dy vizitave të bëra në këtë destinacion, jep edhe disa këshilla se si mund të shjini më shumë këtë diamante të fshehur të natyrës shqiptare.

  1. Vizitoni plazhet e bukura të Ksamilit

Duke qenë se është një vend i vogël e keni shumë të lehtë të vizitoni plazhet e shumta që Ksamili ofron. Julia sugjeron plazhet si Stela, Bora Bora, por mund të merrni, gjithashtu, me qira një makinë dhe të zbuloni më shumë plazhe aty pranë, si Plazhin e Pulëbardhës, Plazhin e Krorezës dhe Shpellën e Pëllumbave.

Ksamil foto nga @juli_berk.

2. Shikoni perëndimin e diellit nga manastiri i Shën Gjergjit

Ky manastir është një manastir antik ortodoks, që gjendet në gjysmë të rrugës midis Ksamilit dhe Sarandës. Nëse merrni me qira një makinë, mund të shkoni në manastir dhe të shihni një perëndim të diellit madhështor.

3. Vizitoni lagunën e kripur të liqenit të Butrintit

Në anën tjetër të Ksamilit është liqeni i Butrintit, një lagunë e bukur me ujë të kripur, e rrethuar nga kodra të dendura me pyje.

4. Zbuloni historinë e Parkut Kombëtar të Butrintit

Parku Kombëtar i Butrintit është një ndër destinacionet që nuk duhet ta evitoni. Rrënojat 2500-vjeçare të Butrintit, brenda një parku madhështor të gjelbërt e me një hapësirë prej 30 km, janë disa nga më të bukurat e të mirëmbajturat në Evropë. Për këtë arsye, në vitin 1992, Butrinti u shpall si Vend i Trashëgimisë Botërore nga UNESCO dhe kryeson çdo listë ndërkombëtare të atraksioneve që duhen parë në Shqipëri!

Parku Arkaeologjik i Butrintit. Foto nga GuideVenturous.

5. Eksploroni shpellën magjepsëse të Kreshmoit

Udhëtimi nga Ksamili në shpellën e Kreshmoit zgjat më pak se një orë dhe ia vlen, sidomos për ata që e duan arkeologjinë.

6. Kaloni një ose dy ditë në Sarandë

Saranda është një qytet afër Ksamilit, ku mund të pushoni në plazhe, të shikoni perëndimin e diellit nga Kalaja e Lëkursit, të vizitoni manastirin e 40 Shenjtorëve dhe të shijoni ushqimin dhe pijet lokale në shumë kafene dhe restorante fantastike.

Plazhi Pasqyrat në Sarandë.Foto dhuruar nga Egzon Bytyqi.

7. Mrekullohuni me ujërat e “Syrit të kaltër”

Syri i Kaltër është një burim natyror pranë fshatit Muzine. Ky burim është i famshëm për ujërat e tij të pastër blu, nga merr edhe emrin “Syri i kaltër”.

Syri i Kaltër Sarandë, Foto nga Egzon Bytyqi.

8. Vizitoni qytetin e UNESCO-s, Gjirokastrën

Gjirokastra është një qytet i UNESCO-s dhe ndodhet një orë e gjysmë larg Ksamilit. Qyteti i Vjetër është i njohur për shtëpitë e tij prej guri dhe arkitekturën.

Ky destinacion është, gjithashtu, shtëpia e një prej kështjellave më të pabesueshme në Shqipëri, në të cilën mund të kaloni orë të tëra duke eksploruar dhe mësuar mbi historinë.

Gjirokastra, foto nga Arjan Mavriq

Për të lexuar artikullin e plotë dhe për të shijuar fotot, klikoni këtu.