Prestigjozja Franceze “Le Figaro” - Vizitoni Rivierën Shqiptare me Plazhet Margaritare - Into Albania

Prestigjozja Franceze “Le Figaro” – Vizitoni Rivierën Shqiptare me Plazhet Margaritare

Bukuritë e Rivierës Shqiptare çdo sezon veror tërheqin vëmendjen jo vetëm të turistëve të huaj dhe vendes, por edhe të mediave ndërkombëtare. Ka qenë e përditëshmja franceze Le Figaro e cila i ka dedikuar  një artikull të gjatë Shqipërisë dhe atraksioneve turistike që vendi ynë ofron.

Thibault Petit, gazetari i Le Figaro e përshkruan bregdetin jugperëndimor të Shqipërisë si shtëpinë e disa prej plazheve më të mira në Gadishullin Ballkanik. Ndër të tjera ai shkruan  – Le të tregohemi të sinqertë. Çfarë dimë ne për Shqipërinë? Dimë për diktaturën e saj komuniste, makinat e vjetra ‘Mercedes”, bunkerët dhe ndoshta shkrimtarin e shkëlqyer Ismail Kadare dhe kaq. Megjithatë, Shqipëria ka më shumë se 2 000 vjet histori, një kulturë unike, qytete antike dhe peizazhe të larmishme. Në veri, male dhe lugina të thella. Në qendër, qytete. Në perëndim, kryeqyteti aktiv, Tirana. Në jug, bregdet dhe plazhe, rajoni më turistik i vendit. Shqipëria është një nga gurët e çmuar më të ruajtur mirë të Adriatikut.

Në përshkrimin e tij në artikull, jepen me detaje çdo perl që kjo rivierë të ofron. Thibault Petit jo vetëm ju bën një guidë, por ju informon edhe për vendet ideale ku mund të akomodoheni.

Për të shkelur Rivierën Shqiptare duhet të kalosh mbi Llogara dhe ky segment nuk mund të lihej mënjanë përshkrimit në Le Figaro. Qafa e Llogarasë është legjendare në shumë mënyra. Së pari, sepse romakët shkuan atje. Së dyti, sepse shënon hyrjen në Rivierën Shqiptare. Qafa ndodhet në Parkun Kombëtar të Llogarasë. Vendi ofron shëtitje të bukura malore, shkruhet në të përditshmen franceze.

Qafa e Llogarasë, foto IntoAlbania

Në këtë artikull të gjerë gazetari nuk lë pa përmendur Dhërmiun të cilin e konsideron si margaritarin e detit Jon, Himarën, Kanionin e Gjipesë, Qeparonë, Porto Palermon, Sarandën si edhe Butrinit dhe Gjirokastrën jo si vende bregdetare, por si destinacione që duhen vizituar për historinë dhe kulturën që përcjellin.

Dhërmi, ose ndryshe “Perla e bregdetit’’ shkruan Le Figaro do të gjeni,  ujin e kristaltë, plazhe me guralecë dhe bare pothuajse në ujë. “Dhërmiu është vend bregdetar, por edhe një qytet i vjetër. Ngjituni atje lart dhe shëtisni pak: do të gjeni rrugë me kalldrëm, shtëpi prej guri, fiq, hardhi dhe trëndafila të lulëzuar. Fshati ka më shumë se 30 kisha ortodokse, përfshirë Manastirin e Panajasë, në kodër. Brenda, afreske të bukura të shekullit XVI.

Poshtë fshatit do të gjeni plazhet e Dhërmiut dhe të Drimadhës, jo vetëm mahnitës, por edhe shumë të gjallë të mbushur me të rinj që shijojnë jo vetëm rrezet e diellit, por edhe muzikën.

Dhërmi, Vlorë. Foto nga Gëzim Mavriqi

Dhërmi, Vlorë. Foto nga Gëzim Mavriqi

Ndër të tjera në shkrim përmendet edhe plazhi i Porto Palermos, i cili vijon të jetë një ndër destinacionet më të bukura në Evropë dhe që vizitohet rregullisht nga turistë të huaj. Njerëzit shkojnë atje për të notuar, për të eksploruar kështjellën e Ali Pashës dhe për të vizituar një fshat tjetër aty afër, Qeparoin, që konsiderohet si më i bukuri në Rivierë.

Kalaja e Porto Palermos, Vlorë. Foto nga Fation Plaku

Dhe në fund artikulli mbyllet me dy vende të tjera shumë të njohura turistike Butrintin dhe Gjirokastrën.

Butrinti është vendbanimi më i bukur në Shqipëri. Ai ka frymëzuar Rasinin, Virgjilin, lord Bajronin dhe Eugjen Delakruanë. Qyteti antik i Butrintit është magjik. Për UNESCO-n, ky vend përbën një “mikrokozmos të historisë së Mesdheut”.

Për të lexuarin artikullin e plotë klikoni këtu.

 

Viiew of Butrint from above. Photo courtesy of Arian Mavriqi

Kalaja e Gjirokastrës, foto Gëzim Mavriq