Pyetje dhe përgjigje: Ols Lafe mbi Gjirin e Gramës - Into Albania

Pyetje dhe përgjigje: Ols Lafe mbi Gjirin e Gramës

Do vizitoni së shpejti Gjirin e Gramës (apo të Gramatës) e doni të dini informacionet kryesore se përse duhet vizituar ky destinacion që është monument kulture? IntoAlbania ka pyetur Dr. Ols Lafe, Drejtorin e Qendrës për Zhvillimin e Trashëgimisë Antike dhe Mesjetare Shqiptare, mbi veçantinë e Gramës, si dhe turin e posaçëm të organizuar prej tij në këtë gji. Më poshtë disa pyetje e përgjigje mbi këtë vend:

Çfarë duhet të presim nga një tur në Gjirin e Gramës?

Një tur në Gjirin e Gramës është kulminimi i një vizite që dikush mund të kryejë në faqen perëndimore të Gadishullit të Karaburunit në çdo ditë kur moti i mirë lejon lundrimin nga ana e Dhërmiiut apo e Vlorës. Një tur i plotë dhe më i shkurtër në kohë do të ishte udhëtimi me një mjet lundrues që niset nga Dhërmiu, dhe që pas disa mini ndalesave të vogla në Gjirin e Shën Andreas apo pranë Shpellës Blu të sjell në gjirin e qetë dhe mjft piktoresk të Gramës. 

Shpella Blu, foto nga IntoAlbania.

Në hyrje të Gjirit të Gramës, foto nga IntoAlbania.

Këtu fillon edhe surpriza, sepse gjiri e ka marrë emrin nga më shumë se 1500 mbishkrime në gur të kohëve të ndryshme, të cilat datojnë të paktën nga shekulli i 3-të para Krishtit e deri në fund të shekullit të 19-të. Disa emra mjaft të rëndësishëm përmenden në këto mbishkrime sikurse edhe ai i perandorit bizantin John V Palaeologus. 

Disa nga mbishkrimet në faqen e shkëmbit.  Foto nga IntoAlbania.

(Shënim: Sigurisht fenomeni interesant i mbishkrimeve të periudhës së socializmit të ushtarëve të stacionuar aty nuk mungon sikurse gati në çdo destinacion kulturor që ka qenë nën kontrollin e ushtrisë përpara viteve 90-të. Vihet re dhe fenomeni negativ  i gërvishjeve të viteve të fundit mbi mbishkrimet antike.)

Gjatë një prej tureve të ofruara nga Ols Lafe në Gramë. Foto nga IntoAlbania.

Ols Lafe, foto nga IntoAlbania.

Përse mbishkrimet në Gramë janë kaq të rëndësishme?

Mbishkrimet e Gramës janë të rëndësishme sepse në rradhë të parë janë realizuar në faqet vertikale të shkëmbit të prerë për qëllime të shfrytëzimit si gurore në antikitet. Mbishkrimet e antikitetit i dedikohen Dioskurëve, mbrojtësve të detarëve, ndërsa ato të mesjetës i luten Zotit. Të gjitha mendohet se i përkasin detarëve të cilët kanë shpëtuar nga mbytja e anijeve të tyre apo janë strehuar aty deri në përfundimin e ndonjë shtrëngate që nuk i lejonte të vijonin normalisht lundrimin e tyre.

Mbishkrimet në Gjirin e Gramës, foto nga IntoAlbania.

Cili është mbishkrimi më i vjetër?

Mbishkrimet më të vjetra janë disa dhe datojnë të paktën 2300 vite më përpara. Për më tepër info klikoni këtu

Një nga turet e ofruara nga Ols Lafe, foto nga IntoAlbania.

Sa popullore është sot Grama mes turistëve?

Sot Gjiri i Gramës është kthyer në një destinacion shumë popullotrmes vizitorëve, ku duhet të përmendim përveç atyre që zgjedhin rrugën e shpejtë me mjet lundrimi, ka edhe disa që preferojnë rrugën këmbësore si dhe kampimin në këtë gji për disa ditë me çadra. Kjo e ka kthyer Gramën në një destinacion praktikisht gjithëvjetor, ku pavarësisht mungesës (përveç muajve të verës) të kushteve më minimale të shërbimeve, mbetet preference kryesore e turistëve shqiptarë e të huaj.

Gjiri i Gramës, foto nga IntoAlbania.

Çfarë duhet të mbajnë parasysh turistët kur të vizitojnë këtë vend?

Vizitorët duhet të kujdesen në rradhë të parë për mbishkrimet, nuk duhet t’i ngacmojnë ato, dhe as të lejojnë persona të papërgjegjshëm t’i dëmtojnë ato. Kjo pasuri e jashtëzakonshme do të vijonte të dëmtohej me ritme të shpejta nëse të gjithë nuk kontribuojmë sadopak për mbrojtjen e saj.

Mbishkrimet në Gjirin e Gramës, foto nga IntoAlbania.

Si duhet të jetë e ardhmja e këtij vendi?

E ardhmja e Gramës është e ardhmja ideale e çdo destinacioni kulturor e natyror në vendin tonë: menaxhim gjithë vjetor, me vizita monitoruese të shpeshta e të befta, veçanërisht nga deti; ndërgjegjësim të aktorëve lokalë që e frekuentojnë atë me mjete lundruese apo në këmbë; fillimi i një procesi të edukimit me brezat e rinj e më pas gradualisht me më të rriturit që të ketë në themel organizimin e vizitave të Gramë, njohjen me kulturën e natyrën e paprekur, si dhe diskutimin e mënyrave më të mira për promovimin e saj të saktë në arealin shqipfolës e të huaj. Një aset i tillë i mirëmenaxhuar kthehet menjëherë në një histori suksesi dhe shërben si frymëzim për iniciativa të ngjashme në të gjithë vendin.

Gjiri i Gramës, foto nga IntoAlbania.

Dr. Ols Lafe është një arkeolog që ka studiuar Histori dhe Arkeologji në Universitetin e Tiranës, Shqipëri, e ka kryer studimet M.A në Universitetin e Sinsinatit, Ohio (SHBA), si dhe studimet doktorale për menaxhimin e trashëgimisë kulturore në Universitetin e Tiranës. Ai është aktualisht Drejtor i Qendrës për Zhvillimin e Trashëgimisë Antiko-Mesjetare Shqiptare, në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Gjatë karrierës së tij ka punuar si Drejtor i Kabinetit dhe Këshilltar për Trashëgiminë Kulturore për Presidentin e Republikës, si dhe Drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës dhe arkeolog pranë Institutit të Arkeologjisë në Tiranë.