Rapsodia: në tryezën më autentike të Shqipërisë - Into Albania

Rapsodia: në tryezën më autentike të Shqipërisë

Në km e 4 të Shëngjinit, Lezhë, ndodhet një nga restorantet më moderne e unike të Shqipërisë: Rapsodia! Falë një përvoje të gjatë të shefit Alfred Marku në Itali, sot ky restorant është bërë një ambasador i gastronomisë moderne shqiptare, duke i dhënë një tjetër dimension turizmit kulinar.

Një sallatë me filiza lule dielli, që të sjell nostalgji për vitet ’90. Një shqetull i trajnuar me kripë, që të zhyt menjëherë në detin Adriatik që ndodhet pak kilometra larg. Një kavanoz i mbushur me lule çikoresh, falë të cilës përhumbesh në natyrën e egër shqiptare. Tryeza e shef Alfred Markut është një shpërthim shijesh, të cilat janë të studiuara për të të ushqyer syrin dhe mëndjen, atje ku flejnë ndjesitë e të shkuarës, të cilat ringjallen për të prodhuar një eksperiencë krejt të re, që mban emrin e Rapsodisë.

Në foto disa nga pjatat e para të servirua si: petull e mbushur me krem perimesh, karpaço oktapodi me vinagre shege; karpaço levreku i marinuar me vinagre agrumesh etj. Foto nga IntoAlbania.

Filozofia

“Njeriu kur ha bukë duhet të kthehet fëmijë.” Kjo është një ndër filozofitë që e shoqëron Markun në profesionin e tij. Përpiqet gjithmonë të krijojë receta të reja, kombinime të dala nga studime të mirëfillta apo dhe inspirime të çastit, në mënyrë që të mos shuhet kurrë  kurioziteti i tij si shef, dhe mbi të gjitha, të mos shuhet kurioziteti i  klientëve që ulen në tryezat e Rapsodisë.

Pamje nga tavani i punuar i restorantit. Foto nga IntoAlbania.

Pasioni

Në fakt ishte ende i vogël, kur u largua për herë të parë për të punuar 12 vjeç në emigracion, fillimisht në Greqi, e pastaj 15 vjeç në Itali. Pas një përvoje fillestare si pjatalarës, shumë shpejt kuzhina tërhoqi vëmendjen e tij. Gatimi u kthye jo vetëm në pasionin e jetës së Markut, por u kultivua aq shumë sa mori formën e një arti në pjatë.

Shef Alfred Marku, foto nga IntoAlbania.

Pas një përvoje fantastike në restorante ku punohej për të ruajtur yjet Michelin, që janë ekuivalenti i çmimeve Oscar në kuzhinë, Marku ndihej mjaftueshëm i sigurtë se kishte ardhur momenti të ofronte një menu degustimi dhe në Shqipëri. Me të qeshur na thotë se 5 vitet e para mbijetoi në treg vetëm se njerëzit e shanin. Ishte jo pak e vështirë të edukoje shijet e klientëve, të cilët deri atëherë ishin mësuar me një tjetër lloj restoranti, ku servireshin pak pjata të mbushura plot, tek sa Marku ofronte krejt të kundërtën, shumë pjata por të mbushura pak e me stil.

Në foto disa nga pjatat e servirura tek restorant “Rapsodia. Foto nga IntoAlbania.

Menuja

Menuja e Rapsodisë ofron disa mundësi zgjedhje si: Rapsodi Shqiptare, Rapsodi Peshku, Rapsodi Mishi, Rapsodi me Perime e Djath, Rapsodi Mikse, apo Kilometrin Zero. Çmimet variojnë nga 1800 Lekë në 2500 Lekë në total për secilën menu degustimi. Duhet të mbani parasysh se njëra pas tjetrës do ju vijnë një shumësi pjatash prej të cilave do të keni veç luksin e zgjedhjes.

Në foto: merluc i pjekur me kumbulla të thata. Foto nga IntoAlbania.

Ideja e Markut për kuzhinën në fakt është në sintoni të plotë me zhvillimet kulinare botërore të pas viteve 2000, të ndikuara veçanërisht nga shefi danez (me origjinë shqiptare) René Redzepi. Redzepi përmes stilit të tij minimalist dhe vendosjes së theksit te rëndësia e produkteve lokale për autenticitetin e kuzhinës, revolucionarizoi gastronominë botërore.

“Kilometri Zero” është një nga propozimet e menusë së Markut. Jo vetëm ingredientët e përdorura prej tij janë një pjesë e mirë me kilometër zero, pra të prodhuara nga baxhoja e restorantit apo të mbledhura përreth zonës, por mbi të gjitha me kilometrin zero nënkuptohet një rrugëtim i vërtetë shijesh, që nis pikërisht te Rapsodia.

Në foto: ngjala me sallatë lakre dhe qepë e karamelizuar me lëng shege. Foto nga IntoAlbania.

Origjina e emrit

“Rapsodia e peshkut” ishte menuja e zgjedhur nga ne, dhe e gjetëm veten me një shumësi pjatash, të cilat bashkohen jo vetëm fizikisht me njera-tjetrën, por edhe në shije, duke formuar histori të ndryshme të cilat natyrshëm do të doje t’i rrëfeje. Ashtu siç bënin njëherë e një kohë rapsodët me këngët epike. E jo më kot ky emër për restorantin.

Në foto: mormor krudo marinuar me vinagre agrumesh dhe qepë me limon. Foto nga IntoAlbania.

Një kliente gjermane i pat thënë kur Marku drejtonte agroturizmin e tij në Lago di Garda, se pjata që i kish gatuar i ngjante një rapsodie jeshile. Aq ishte dashur dhe atij i ishte kujtuar menjëherë vendlindja, dhe kish kuptuar se ky emër do e shoqëronte gjatë. Nuk vonoi shumë dhe Marku u kthye te rrënjët, në Lezhë, duke hapur 12 vite më parë restorantin që solli ndryshim në gastronominë shqiptare.

Në foto: ravioli me pastë kakao dhe krem karrote. Foto nga IntoAlbania.

Inspirimi

Gjithçka duket se shërben si inspirim për Markun, që nga udhëtimet e deri tek mbrëmjet me miqtë. Ishte një natë si shumë të tjerat, kur pasi kish provuar një brusketë me pançetë derri e mjaltë, në vitin 2001, u frymëzua për të krijuar një pjatë që i solli asokohe dhe çmimin si pjata e vitit në Itali, me kafshatë kaprolli, dhjam derri të pjekur e reçel molle të egër.

Shefit i pëlqen që të marrë pjata tradicionale, e t’i destrukturojë, duke bërë që njëherësh t’i ruhet vlera origjinale, por edhe të përftohet një shije e re.

Në foto: domate e mbushur me mollë dhe djathë. Foto nga IntoAlbania.

Mësimi më i madh

Biseda me shefin vijon mjaft e këndshme, dhe së bashku me batutat që nuk mungojnë, ai na rrëfen dhe mësimin më të madh që ka nxjerrë nga gatimi. “Ushqimi të mëson gjënë më të bukur në jetë: që të mos paragjykosh asnjëherë. Pa njohur dhe pa bërë provë.”

Nuk vonon shumë dhe e kuptojmë më së miri domethënien e kësaj fraze, kur na serviret një barbun me krostë kadaifi dhe krem çokollate të bardhë.

Në foto: barbun me krostë kadaifi dhe krem çokollate. Foto nga IntoAlbania.

Nuk ka hapësirë për të paragjykuar, por vetëm për të shijuar një pjatë, që duke huazuar fjalët e vet shefit, ka një ekuilibër thjesht perfekt.