Restaurimi i Kishës së Shën Mërisë në Prespë - Nxitje për Turizmin Natyror dhe Kulturor - Into Albania

Restaurimi i Kishës së Shën Mërisë në Prespë – Nxitje për Turizmin Natyror dhe Kulturor

Një ndër kishat më interesante dhe që kohet e fundit po tërheq edhe shumë turistë jo vetëm vendas por edhe të huaj, është ajo e Shën Mërisë, në ishullin e Maligradit, në liqenin e Prespës.

Gjatë këtyre ditëve ka nisur edhe restaurimi i çatisë të këtij monumenti kulturor, të cilat kanë si synim nxjerrjen në pah të vlerave të tij historike dhe kulturore.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Administrata e Zonave të Mbrojtura Korçë e mbështetur nga organizata për mbrojtjen e mjedisit “Transboundary Biosphere Prespa” në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë dhe European Heritage Volunteers po punojnë bashkërisht për ruajtjen e këtij guri të çmuar të Prespës.

Ndërhyrja në kishë vjen në kuadër të javëve evropiane të trashëgimisë, pasi dihet që muaji shtator është muaji i trashëgimisë kulturore.

Kisha e Shën Mërisë në Liqenin e Prespës. Foto DRTK Korçë

Kisha e Shën Mërisë në Liqenin e Prespës. Foto DRTK Korçë

Punimet që po kryhen nga restauruesit vendas dhe të huaj, priten të mbarojnë brenda pak muajsh, duke shtuar kështu shanset për rritjen e vizitorëve në këtë ishull me bukuri të rralla dhe me kishën e Shën Mërisë të vendosur në shkëmb. Restaurimi që do të bëhen në çatinë e kishës së Shën Mërisë, platformës së vizitorëve dhe shtegut në ishullin Maligrad jo vetëm do i kthejë identitetin këtij monumenti të kulturës, por do të ndikojë edhe në rritjen e numrit të vizitorëve dhe zhvillimit të turizmit.

Kisha e Shën Mërisë në Liqenin e Prespës. Foto DRTK Korçë

Kisha e Shën Mërisë në Liqenin e Prespës. Foto DRTK Korçë

Kisha e Shën Mërisë e pozicionuar në ishullin e Maligradit është ndërtuar në shekullin XIV dhe është një nga monumentet më me vlerë të trashëgimisë kulturore. Kjo kishë ka shërbyer si qendër shpirtërore për prijësat shqiptarë. Në këtë ishull janë gjetur edhe objekte të tjera që sipas arkeologeve, janë pjesë e një kishe paleokristiane që mendohet të ketë qenë në pjesën e sipërme të liqenit. Mbishkrimet që gjenden në këtë kishë i përkasin periudhave të ndryshme të lidhura me historinë e këtij monumenti.