Romani "Kukulla" nga Ismail Kadare në Libraritë Britanike dhe në Faqet e "The Guardian" - Into Albania

Romani “Kukulla” nga Ismail Kadare në Libraritë Britanike dhe në Faqet e “The Guardian”

Dalja në libraritë britanike e romanit “Kukulla”, të shkrimtarit Ismail Kadare, nuk ka kaluar pa koment nga prestigjozja “The Guardian”, e cila e ka shoqëruar lajmin me një reçencë të dedikuar:

“Në pamje të parë, romani autobiografik i Ismail Kadaresë, mund të lexohet si një kujtim elegant, herë i ëmbël e herë i hidhur i moshës së adoleshencës, prekur me nostalgji për një vendlindje gjithnjë e më të largët tashmë”.

Me këto fjalë nis artikullin “The Guardian”, që pas një përshkrimi të shkurtër të subjektit të romanit, zgjedh të shkëpusë një ngjarje të cilën e përshkruan kështu:

Një nga historitë më gazmore, është ajo e vitit 1953, ditën kur prezervativët erdhën në farmaci për herë të parë: “Kishte udhëzime kontradiktore që i lejonin ose i ndalonin ato. Dyshohej se mund të ishin një mënyrë për të identifikuar ndonjë dobësim të luftës së klasave pas vdekjes së Stalinit. Por më vonë, u mësua se kjo masë kishte ardhur me këmbënguljen e sovjetikëve dhe lidhej me të drejtat e grave (Rosa Luxemburg, etj), dhe pas disa hezitimeve nga komiteti i partisë në duhej të këshilloheshin komunistët të shmangnin farmacitë dhe t’ua linin ato copa llastiku borgjezisë gjithnjë e më të degraduar, gjithçka u qetësua”.

“The Doll”, kopertina e romanit të Ismail Kadaresë, në anglisht. Burimi Web Library

“Kukulla – vazhdon artikulli – është i pasur me prekje të tilla, krahas temave të tjera të njohura të Kadaresë, rrënjët në folklor të jetës moderne dhe absurditetin e jetës politike shqiptare.

Sidoqoftë, vëzhgimi prekës, ironia e hidhur dhe frika e heshtur që përshkon marrëdhënien qëndrore të narratorit, atë me nënën e tij, një grua fshehtazi e tmerruar që mund të bëhet e pavlerë dhe e padobishme në momentin që djali do të arrijë famën, është ajo që mbizotëron këtë hulumtim tërheqës mbi një dashuri të vështirë”.

Kopertina e librit në versionin elektronik ebook. Burimi Amazon.com

Në versionit klasik, romani mund të blihet online në dyqanin virtual të librave “The Guardianbookshop“. Ndërkohë, është i disponueshëm edhe në versionin elektronik, ebook, në faqen e Amazon.com.
Nëse dëshironi të lexoni artikullin e plotë, në gjuhën origjinale, klikoni këtu.