Shqipëria Destinacion i Preferuar për Pushime - Mbërrijnë 645 Turistët e Parë Polak - Into Albania

Shqipëria Destinacion i Preferuar për Pushime – Mbërrijnë 645 Turistët e Parë Polak

Ditën e djeshme në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza ka mbërritur tre chartera me 645 turistë nga Polonia, që pasojnë atë të Bjellorusisë dhe Ukrainës. Turistët polak u pritën nga Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili ishte i shoqëruar edhe nga operatori turistik që mundësoi mbërritjen e turistëve polak, Rrahman Kasa.

Çdo javë do të jenë nga 6 aviona chartera, të cilët do të sjellin turistë, duke vazhduar deri në muajin shtator. Turistët janë udhëzuar për të zbatuar kushtet e sigurisë për mos përhapjen e virusit COVID19.

“Është realisht një vit jashtëzakonisht i vështirë, por ne shpresojmë që ky biznes, biznesi i turistëve të orientuar me aviona chartera të vazhdojë siç ka nisur nga Bjellorusia, Ukraina, po ashtu Polonia dhe vendet e tjera të zonës balltike dhe me shpresë që të kemi përmirësim edhe me zonën skandinave, pasi kjo do të krijoj një bazë të mirë për një sezon të mbijetesës në vitin 2020”, tha Ministri i Turizmit Blendi Klosi.

Nga ana e tij, operatori turistik Kasa u shpreh se “shoqëria me të cilën unë jam partner do të sjellë 3 avionët e parë. Në fakt do të vinin që në maj po situata është e tillë, por përsëri jemi shumë të lumtur sepse në situatën që jetojmë kjo do të thotë shumë. Mendojmë që çdo javë do të kemi 6 avionë, të cilët do të vazhdojnë deri nga fundi i shtatorit. Shpresojmë që situata të vijë në përmirësim, sidomos situata e numrave të deklaruar, që të mos kishim probleme sepse sot realisht kishim 4 avionë dhe njëri u reduktua, sepse një pjesë u tërhoqën nga situata aktuale e numrave në Shqipëri. Gjithësesi jemi shumë të lumtur që arritëm më në fund, që në këtë situatë të ulim avionin çarter në Rinas dhe të fillojmë një sezon. Besoj për këto dy muaj që kanë mbetur do jetë mjaft i suksesshëm”.