''The Guardian'' - Thethi një nga 10 Vendet e Qeta dhe të Pazbuluara të Evropës - Into Albania

”The Guardian” – Thethi një nga 10 Vendet e Qeta dhe të Pazbuluara të Evropës

Prestigjiozja britanike “The Guardian” në një artikull dedikuar vendeve më të qeta ne Evropë që të apasionuarit e  udhëtimeve duhet të dinë, ka renditur edhe Thethin si një nga destinacionet që ja vlen për tu vizituar. Në artikull listohen rreth 10 destinacione të ndryshme nga e gjithë Evropa ku përmenden,  Liqenet e Covadongas në Asturia të Spanjë, bregu i Amalfit në Itali, Kanalet e Aveiros në Portugali, Ishujt Aland në Finland, Boveci në Slloveni, shpella Vela Spila në Kroaci, gadishulli Beara në Irland, Abacia e Saint-Martin-du-Canigou, Pirinejtë Franceze, si edhe labirinti i pemëve në Danimarkë.

Thethi parë në sytë e aventurierit të udhëtimeve, Andy Clark përshkruhet i tillë në ‘The Guardian.’

“Formacione shkëmbore ngriheshin pas nesh në qiellin pa re dhe uji i pastër gurgullonte poshtë nesh. Ne u ngjitëm në një shteg dredha-dredha mbi vijën e linjës ajrore dhe poshtë në kanale të lumenjve të gjerë, të shpërndarë me gurë, që tregonin fuqinë e shkrirjes së akullit në pranverë. Nuk kishte rrugë të asfaltuar, kështu që shumë pak automjete shihje përgjatë rrugës. Vetëm natyra, si një Eden i egër. Ky është fshati Thethi në veri të Shqipërisë”.

Parku Kombëtar i Thethit. Foto ilustruese nga The Guardian

Parku Kombëtar i Thethit, ndodhet në qendër të Alpeve të Shqipërisë, rrethuar nga Jezerca madhështore dhe majat e tjera imponuese të Bjeshkëve të Nemuna. Mespërmes parkut rrjedh Lumi i Shalës, që bashkohet përgjatë rrugës me të tjerë përrenj duke dhuruar peizazhe spektakolare. Ndër monumentet natyrorë më mbresëlënës është Ujëvara e Grunasit (Thethit), që nga 30 metra lartësi bie nga shpatet plot vrull e magji. Pranë ujëvarës ndodhet Kanioni i thepisur i Grunasit, që falë ngushtësisë dhe ujit të kristaltë që kalon mes tij përgjatë 1 kilometri, krijon një atmosferë tejet intime. Sapo kaloni Kanionin, do ju duhet të ecni rreth 30-40 minuta për të duke shkuar në fshatin Ndërlys, aty ku gjenden Vaskat e Gurit, disa formacione spektakolare shkëmbore të krijuara nga prurjet e Lumit të Zi. Të shumtë janë turistët që gjatë verës pushojnë pranë këtyre gurëve të latuar në formë vaskash së bashku me ujëvarën e bukur që rrjedh mes tyre

Të gjitha këto bukuri të papërsëritshme të këtij fshati në zemër të Alpeve shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën, traditën e kulturën shqiptare.

Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit.

Për të lexuar artikullin e plotë, klikoni këtu.

Vaskat e Ndërlysës, Theth. Foto nga Afrim Tahiraj

Kisha e Thethit, Shkodër, foto nga IntoAlbania.