Tirana Street Party: Ku dhe kur festohet - Into Albania

Tirana Street Party: Ku dhe kur festohet

Klima mesdhetare e Shqipërisë ofron kushtet e duhura për të shijuar ditët e ngrohta e mbrëmjet e buta për muaj me radhë. Sapo vjen pranvera, lokalet e shumta të kryeqytetit ridimensionohen tërësisht, në mënyrë që të shfrytëzojnë pikërisht këtë atmosferë fantastike ku bisedat apo pijet fitojnë tjetër shije.

Si datë fillese e festave që zhvendosen në rrugët e kryeqytetit apo lokalet e hapura është 14 marsi, që përkon dhe me “Ditën e Verës”. Kjo festë pagane ku celebrohet ardhja e stinëve të ngrohta, prej disa vitesh është kthyer në një festë zyrtare, me qytetet e mëdha që organizojnë plot evente që ja vlen të ndiqen. Këtë vit Tirana ndryshoi datën e mbajtjes së eventeve nga data 14 mars, në datë 17 mars, për arsye të kushteve atmosferike.

Ku dhe kur të bëhesh pjesë e Tirana Street Party

Edhe këtë vit, më 17 mars, rrugicat e njohura të ish-Bllokut do të pushtohen nga ritmi, koktejlet, si dhe muzika elektronike e dj-ve të ardhur sa nga skena shqiptare e muzikës, aq edhe nga skena prestigjoze botërore. Do të jenë plot 3 skena me muzikë që do të ndezin atmosferën nga ora 12 e mesditës, deri në 12 të mbrëmjes.

Energjia që përftohet në rrugicat e ish-Bllokut gjatë Street Party-ve është e jashtëzakonshme, dhe i ngjan një magneti që bëhet gjithnjë e më i fuqishëm, pasi edhe numri i të rinjve të pranishëm sa vjen e shtohet, ashtu siç shtohen dhe check-inet apo live streaming në rrjetet sociale të këtij eventi.

Është një nga ato ritualet që tashmë të duket sikur ka qenë përherë aty, si për të të kujtuar se përtej punëve rutinë të dimrit apo netflix-it në të ngrohtë në shtëpi, vjen dhe një periudhë tjetër, e mbushur me energji dhe socializim, me flirtime jo virtuale, me biseda nga më eklektiket nën diell apo nën freskinë e këndshme të mbrëmjeve që nuk do doje të mbaronin kurrë.