Top 10 eventet e muajit mars në Shqipëri - Into Albania

Top 10 eventet e muajit mars në Shqipëri

Karnavalet e Shkodrës, 2 -3 mars, Shkodër 

Fundjavën e parë të muajit mund ta kaloni në Shkodër, e cila njihet për traditën e festës së karnavaleve! Të mos harrojmë se në kryeqendrën e veriut ndodhet dhe një nga fabrikat e maskave më të mëdha në botë, Venice Mask Art Factory, ndaj kostumet dhe maskat që do të shihni në Pedonalen e Shkodrës apo rrugët e qytetit, janë të njëjtat që vishen dhe në sheshin San Marko në Venecia.

Brenda ambjenteve të “Venice Art Mask Factory” në Shkodër. Foto nga IntoAlbania.

Ermal Meta dhe GnuQuartet, Pallati i Kongreseve, 4 mars, Tiranë

Fituesi i Sanremos, këngëtari i mirënjohur me origjinë shqiptare Ermal Meta, do të mbajë një koncert së bashku me kuartetin Italian GnuQuartet, në sallën e Pallatit të Kongreseve. Tirana është vendosur si pjesë e turit që përfshin gjithashtu 23 ndalesa në qytetet e Italisë. Falë dhe kuartetit të përbërë nga katër muzikantë italianë në violë, flaut, violinë dhe violinçel, Ermal Meta do të performojë këngët e tij në një mënyrë të re, ndryshe nga performanca që realizoi në Tiranë në sheshin “Skënderbej”. Për biletat mund të klikoni këtu, ose mund të telefononi në numrin: 067 40 555 00. E-mail: info@myticket.al. Orari i nisjes së shfaqjes: 20:15.

Posteri zyrtar i eventit.

Gastro Alb ‘3 – Konkursi Ndërkombëtar i Gastronomisë, Pallati i Kongreseve, 7 mars – 9 mars

Edhe këtë vit Albanian Chefs & Cooks Association organizon një nga eventet më të rëndësishmë gastronomike në Shqipëri: edicionin e tretë të “Konkursit Ndërkombëtar të Gastronomisë”. Konkursi do të zhvillohet në kategori të ndryshme si kuzhinë, piceri apo bar. Falë pjesëmarrjes së konkurentëve nga e gjithë bota, si dhe një jurie të specializuar të ardhur nga WORLDCHEFS Organization, spektakli në tryezë është i garantuar! Për aplikime apo info të tjera kontaktoni në numrin +355682020522 ose adresën e emailit info@chefs.al. Konkursi fillon në orën 09:00 të datës 7 mars, dhe mbyllet në orën 19:00 më datën 9 mars.

Posteri zyrtar i eventit.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Gruan I, Kinema Millennium, 8 mars – 11 mars, Tiranë

Kudo që të ndodheni, e sigurtë është se prë këtë ditë janë organizuar plot aktivitete si nga institucionet shtetërore, dhe nga ato private. Tek sa dihet se çdo ditë është dita e gruas, kjo ditë shërben për ta theksuar këtë mesazh aty ku ende ka nevojë për t’u përcjellë. Në çdo dy gra në Shqipëri, njëra do të dëshmojë se ka përjetuar të paktën një formë dhune, qoftë ajo fizike, seksuale apo psikologjike.

Në këtë kuadër, UN Women, së bashku me Qendrën Kombëtare Kinematografike, organizojnë edicionin e parë të “Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për Gruan”, ku vëmendja do të jetë pikërisht te filmat që kanë si subjekt barazinë gjinore. Një listë e mirëstudiuar me filma e dokumentare do të shfaqen falas për publikun te Kinema Millennium. Festivali do të zgjasë nga data 8 deri në 11 mars.

Posteri zyrtar i eventit.

Karnavalet e Himarës, 8 mars 2019

Të premten e dytë të muajit mars, rezervojeni për Himarën! Karnavalet do të ndezin qytetin, dhe do të shijohen nën diellin dhe puhizën e detit, që me ardhjen e marsit duket sikur merr një tjetër ngjyrim. Aktivitetet e programuara janë të shumta, ndaj paçka se mund të jetë herët për t’u zhytur në det, sërish do të keni plot mundësi për të festuar si duhet!

Posteri zyrtar i eventit.

Festivali muzikor “MetroSounds”, Teatri i Metropolit, 8 – 9 mars, Tiranë

Festivali muzikor “MetroSounds” i nisur që në muajin shkurt, finalizohet në mars me Ansamblin Folklorik të Tiranës, që nuk ka nevojë për shumë reklamë për vlerat që përcjell. Të gjithë adhuruesit e tingujve tradicionale do të kenë mundësi të bëhen pjesë e një eventi që vjen në formë mjaft moderne, me pije të Nouvelle Vague. Shfaqja nis në orën 20:00. Për info dhe rezervime kontaktoni në numrin: +355 67 227 0668

Posteri zyrtar i eventit.

Dita e Verës, 14 mars 14

Është një festat që festohet më shumë çdo vit. Edhe pse një festë pagane ku celebrohet ardhja e pranverës, tradita vazhdon e përcillet deri sot. Siç dihet, Elbasani është “kryeqyteti” i Shqipërisë më 14 Mars, ku të shumtë janë ata që ikin dhe nga qytetet e tjera, për të shijuar përmes ballokumeve të nënave elbasanllie këtë ditë. Edhe në Tiranë Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” mbushet nga njerëzit, të cilët ndjekin aktivitetet e zhvilluara përgjatë tij. Një tjetër qytet që vitet e fundit organizon mjaft aktivitete interesante është dhe Përmeti, ndaj nëse ndodheni afër “qytetit të luleve”, mund të bëni një ndalesë dhe aty.

Ballokume

Ballokume, simboli i “Ditës së Verës”, foto nga: pinterest.com.

Antigona, Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, 9 – 10 – 14 mars, Tiranë

Tragjedia e Sofokliut vjen e përshtatur nga Zhan Anuil, i cili në vitin 1942, u ndikua nga tragjedia reale e Luftës së Dytë Botërore për t’i dhënë një tjetër prekje tragjedisë klasike greke. Aktorët Laura Nezha, Ervin Bejleri, Romir Zalla, Xhino Musollari, Xhulia Musagalliu e plot emra të tjerë do të vijnë në skenë nën regjinë e e Andrea Brusque, dhe skenografi të Beqo Nanaj. Shfaqja nis në orën 19:00 në datat 9, 10 dhe 14 mars. Për më tepër telefononi në numrin: 069 571 7746.

Posteri zyrtar i eventit.

Ndeshja e parë e eliminatoreve të Euro 2020, March 22nd, Shkodra 

Emocionet e kualifikimit për në EURO 2016 të gjithë i mbajmë mend, ashtu sikundër edhe ndeshjet e kombëtares të zhvilluara në fazën e grupeve, apo tifozerinë fantastike që përfaqësoi Shqipërinë në Francë! Tashmë ka ardhur koha për të krijuar të tjera emocione të ngjashme, falë startit të eliminatoreve për “EURO 2020”. Ndeshjen e parë kombëtarja e luan kundër Turqisë, dhe do të zhvillohet në datën 22 mars në stadiumin “Loro Boriçi”, në Shkodër. Ndeshja nis në orën 20:45. Për më tepër mbi biletat kliko këtu.

Përfaqësuesja e Kombëtares, foto nga: fshf.org/national/kombetarja.

Ekspozita “Dinastia Marubi: “Njëqind vite të studios fotografike shqiptare” kuruar nga Kim Knoppers, Muzeu Marubi

Ekspozita “Dinastia Marubi” ka pak ditë që është hapur, dhe meqë jemi nën atmosferën e karnaveleve, në fotot e shfaqura mund të shohësh veç të tjerash dhe festën e qytetit përgjatë dy shekujve të fundit. E kuruar me mjeshtëri nga Kim Knoppers, do të jetë një arsye më shumë për t’u njohur me një nga trashëgimitë më të rëndësishme vizuale të Shqipërisë.

Marubi

Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi, foto nga IntoAlbania.