Top 10 vendet më të instagramuara në Shqipëri - Into Albania

Top 10 vendet më të instagramuara në Shqipëri

Pavrësisht madhësisë së saj, Shqipëria i ofron turistëve gjithçka që ata do të mund të dëshironin të vizitonin: male, plazhe, dhe qytete historike. Nga kryeqyteti i vendit, Tirana, në qytetet antike dhe malet që të lënë pa frymë, apo dhe ujërat mahnitëse të Rivierës, Shqipëria është plot me vende që janë tejet të instagramueshme. Le t’i hedhim një sy!

1. Riviera Shqiptare

Të udhëtosh përgjatë bregdetit në Shqipëri është një nga aventurat më mbresëlënëse që mund të ndërmarrësh në jetë. Riviera shqiptare është “shtëpia” e disa prej plazheve më të bukur të detit Mesdhe, si plazhi i Dhërmiut, Drimadhes, Borshi, Piqeras, Lukova, apo Ksamili, vetëm për të përmendur disa. Është thjesht e pamundur për të mos shkrepur fotografi fantastike përgjatë vijës së egër bregdetare të jugut të Shqipërisë.

Livadh

Riviera Shqiptare, foto nga IntoAlbania.

2. Berat

Qyteti i Beratit, pjesë e UNESCO-s, është i tejmbushur me pasuri kulturore, arkitekturore, muze, shtëpi tradicionale të bardha të periudhës osmane, kisha të fshehura, si dhe xhami që do t’ju lënë pa fjalë. Mos humbisni Kalanë e Beratit, një nga kalatë më të mëdha të Ballkanit ende e banuar, që ofron panorama sugjestive. Është vendi i duhur për të bërë dhe foto të mrekullueshme instagrami.

Berat, foto nga Egzon Bytyqi. instagram.com/egzonbytyqiphoto/

3. Alpet Shqiptare

Majat dramatike të Valbonës, Thethit e Vermoshit, ofrojnë disa nga peizazhet më impresionuese dhe evokative në Tokën e Shqiponjave. Liqene akullnajore, lumenj dhe faunë e egër, lugina të gjelbra, pyje të shumta, si dhe fshatra me shtëpi prej guri ku barinjtë jetojnë ende si në kohërat e vjetra. Nëse doni një shkëputje nga turmat e qytetit, nuk ka vend më të mirë për t’u shplodhur.

Lugina e Valbonës, foto nga Egzon Bytyqi. instagram.com/egzonbytyqiphoto/

4. Parku Arkeologjik i Butrintit

Një mikrokozmos i kulturës së Mesdheut, që çudërisht ngjan i lirë nga turistët edhe në pikun e sezonit: mirësevini në Parkun Arkeologjik të Butrintit që është listuar si trashëgimi botërore nga UNESCO. I banuar që nga kohët e lashta, Butrinti ka qenë fillimisht një koloni greke, pastaj një qytet romak, e më vonë peshkopatë. Vendi i duhur dhe për disa foto unike!

Parku Arkeologjik i Butrintit.

5. Gjirokastër

Qyteti i listuar në UNESCO, i pozicionuar në jug të Shqipërisë, është thjesht magjik. Rrugët e shtruara me gurë gëlqerorë, shtëpitë e periudhës osmane si dhe pazari tradicional tërheqin turistët, por ylli i vërtetë i qytetit është Kalaja e Gjirokastrës. Shkoni në majë të kalasë dhe fotografoni qytetin si dhe malet që e rrethojnë.

Zekate House

Shtëpia Zekate, Gjirokastër, foto nga Intoalbania.

6. Liqeni i Komanit

Kanionet e thella, malet e thyera  mbi liqen dhe lumenjtë e egër, do t’ju lënë pa frymë, nën shkëlqimin e liqenit. Udhëtimi prej tre orësh me anije që lidh Komanin me Fierzën përgjatë liqenit përmes peizazhit të jashtëzakonshëm malor është një nga eksperiencat më fantastike në Shqipëri. Kaloni pak kohë duke u relaksuar në lumin e Shalës, një lumë i bukur dhe i egër ende i paeksploruar, që ju mundëson të bëni disa foto spektakolare.

Liqeni i Komanit, foto nga Matthew Storer.

7. Korça  

Male, gatim i shkëlqyer dhe lehtësi për të vizituar jo një por tre nga liqenet më të vjetër të Ballkanit (Ohri dhe dy liqenet e Prespës) – ky qytet duket se i ka vërtet të gjitha! Korça, e njohur dhe si “Parisi i vogël”, falë stilit francez të vilave apo kafeneve tërheqëse, është një qytet elegant me një trashëgimi kulturore të pasur, e akoma më tepër peizazhe tërheqëse.

Pazari i Vjetër, Korça, foto nga IntoAlbania.

8. Shkodër

Një përzierje unike e kulturave të ndryshme dhe stileve arkitekturore, maleve të paprekura, liqeneve, lumenjve dhe rrënojave antike të mrekullueshme: kjo është Shkodra, kryeqyteti kulturor i Shqipërisë! E mbushur me histori, art dhe kulturë, Shkodra është një pikat kryesore të turizmit në vend, me Muzeun Kombëtar të Fotografisë Marubi që nuk duhet humbur! Për pamjet më të mira mbi qytet dhe liqen, shkoni në Kalanë e Rozafës!

Castle of Rozafa

View of the lake from Rozafa Castle, Shkodra, photo by IntoAlbania.

9. Kruja

Kruja është “shtëpia” e një kështjelle të vjetër, aty ku Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu luftoi për gati 40 vite kundër trupave të Perandorisë Osmane, e ku ndodhet dhe pazari më i famshëm në Shqipëri, Pazari i Vjetër, i rinovuar së fundmi duke i qëndruar besnik arkitekturës origjinale osmane. Në Pazar, do të gjeni tapete të punuara në mënyrë artizanale, veshje tavoline unike, si dhe çorape kurioze të punuara me dorë nga artizanët lokalë: vendi i persosur për të shkrepur fotografi shumëngjyrëshe.

Kruja, foto nga IntoAlbania.

10. Tirana

Qendra e qytetit të Tiranës është një kryqëzim rrugësh të mbushura me galeri arti, muze, kafene, si dhe restorante të shkëlqyera. Filloni vizitën tuaj nga sheshi “Skënderbej”, pika kryesore orientuese e qytetit, e pastaj bëni një tur në Muzeun Historik Kombëtar, për ta përfunduar me një vizitë tek Piramida apo Parku i Madh. Për foto të lezetshme instagrami shkoni në zonën e ish-Bllokut, lagjen më të gjallë në qytet, plot me murale të ngjyrosura.

Tirana, foto nga IntoAlbania.